Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, deklaroi se situata e ditëve të fundit në komunat veriore të vendit është jashtëzakonisht shqetësuese dhe se sipas saj, është një kthim prapa në periudhën e para shpalljes së pavarësisë dhe se sot Kosova në pjesën veriore ka sovranitet dhe shtrirje më pak se ndonjëherë me parë.
Ajo u shpreh se përgjegjës kryesorë për gjendjen e brishtë të sigurisë atje janë bandat kriminale serbe të cilat në mënyrë të vazhdueshme janë munduar të provokojnë situatën në atë pjesë të vendit, por që kjo thotë se nuk përbën risi.
Sipas saj, institucionet e Republikës së Kosovës është dashur të tregojnë maturi, pjekuri dhe çdo hap ta koordinojnë ngushtë me aleatët tanë ndërkombëtarë.
“Nuk mund të reduktohet ideja e sovranitetit të republikës në zyre komunale. Për PDK-në demonstrim shumë më i fuqishëm i sovranitetit do të ishte pjesëmarrja e ushtrisë së Kosovës, e FSK-së në ushtrimin e përbashkët të trupave të NATO-s përkrah ushtrive nga Evropa dhe ShBA-ja”.
“Në vazhdimësi kryeministri i Republikës së Kosovës me qasjen shumë të papërgjegjshme, arrogante dhe aventureske ka sfiduar partneritetin e Republikës së Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare. Duhet të jemi më të vëmendshëm, të mos sillemi me arrogancë, dhe kjo e ditëve të fundit ishte akti i fundit në vazhdën e një serie veprimesh të pakoordinuara dhe goxha aventureske nga ana e kryeministrit”, deklaroi Çitaku.