Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka treguar se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka pranuar që në Kuvend të nxirret një rezolutë për ish-krerët e UÇK-së që ndodhen në paraburgim në Hagë.
Ajo u shpreh se të njëjtit nuk kanë dhënë ndonjë arsyetim, derisa tha se kjo është e dhimbshme dhe e turpshme.
“Parlamenti i Shqipërisë ka miratuar rezolutë në mbrojtje të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Parlamenti i Kosovës nuk ka arritur të krijojë shumicë për të miratuar rezolutë”, ka thënë Çitaku në Klan Kosova.
“Unë vet personalisht disa herë, por edhe z.Enver Hoxhaj, z.Memli Krasniqi edhe të tjerët jemi takuar disa herë me përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje dhe u kemi kërkuar që bashkërisht me konsensus ta miratojmë një deklaratë në Parlamentin e Kosovës, ku thjeshtë kërkojmë drejtësi”, shtoi ajo.
Sipas saj, LVV nuk ka pranuar që të nxirret për votim kjo rezolutë që shton se ishte përgatitur me tekst të kujdesshëm.
“Nuk kemi marrë pajtimin dhe kjo është e dhimbshme, nuk e kemi bërë publike, sepse është e turpshme. I kemi lutur dhe arsyeja e vetme pse nuk e kemi bërë publike asnjëherë deri më tani, është se është e turpshme. Nuk ka pranuar Lëvizja Vetëvendosje të nxirret një rezolutë me një tekst të kujdesshëm, me një gjuhë të balancuar, ku thjeshtë kërkohet drejtësi. Nuk është që kanë dhënë arsyetim, në fillim na kanë thënë po, pastaj thjeshtë janë shmangur dhe si përfundim nuk kemi një tekst të tillë”, u shpreh tutje Çitaku.