Çitaku me akuza ndaj pushtetit për keqpërdorimin e ambasadave

Çitaku me akuza ndaj pushtetit për keqpërdorimin e ambasadave

Vlora Çitaku, sekretare e përgjitshme e PDK-së, në një konferencë të thirur për media ka folur në lidhje me keqpërdorimin e ambasadave të Kosovës për zgjedhje nga ana e pushtetit.

Në fjalën e saj, Çitaku ka vlerësuar se pushteti po keqpërdorë paratë e kosovarëve për fushatë partiake.

“Ditëve të fundit, Kryeministri i Kosovës dhe Ministrja e Punëve të Jashtme po e keqpërdorin hapur pushtetin e tyre politik, paratë e taksapaguesve dhe institucionet tona për të kryer një fushatë partiake në diasporë. Kjo qeveri—e zgjedhur për t’u shërbyer qytetarëve, tani po e kthen shtetin dhe burimet e tij në mjete për përfitime partiake”, ka thënë Çitaku.

Ish-diplomatja kosovare u ka dërguar një mesazh të gjithë pjesëtarëve të korpusit diplomatik të Kosovës nëpër botë.

“Diplomatët, të cilët duhet t’i shërbejnë çdo qytetari me dinjitet dhe paanshmëri, po detyrohen të organizojnë takime partiake, duke keqpërdorur detyrën zyrtare dhe burimet shtetërore. Ky manipulim i pushtetit është një abuzim i mirëfilltë. Prandaj sot, u bëj thirrje çdo diplomati që përfaqëson Republikën e Kosovës: Të mos i nënshtrohen këtij abuzimi. Mos lejoni të përdoreni si instrumente në fushatën e kësaj qeverie. Kujtoni, ju jeni përfaqësues të Kosovës, jo përfaqësues të një agjende partiake. Ju keni bërë betimin për t’i shërbyer Kosovës”, ka thënë sekretarja e PDK-së.

Related Articles