Çitaku pas takimit me senatorët amerikanë: Rrugëtojmë bashkë me SHBA-në, UÇK dhe NATO u bënë bashkë për lirinë e Kosovës

Çitaku pas takimit me senatorët amerikanë: Rrugëtojmë bashkë me SHBA-në, UÇK dhe NATO u bënë bashkë për lirinë e Kosovës

Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku është takuar me senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin.

Çitaku tha se folën për “raportin tonë të veçantë dhe rëndësinë e rifillimit të Dialogut Strategjik mes dy vendeve”.

“Sot, në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, me senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin folëm për raportin tonë të veçantë dhe rëndësinë e rifillimit të Dialogut Strategjik mes dy vendeve tona. SHBA-ja ka qenë pranë nesh në momentet vendimtare të përpjekjeve për liri dhe pavarësi. Bashkë duam ta vazhdojmë rrugëtimin drejt një Kosove më të sigurt, më të zhvilluar dhe, shpresoj, së shpejti pjesë të familjes euroatlantike”, shkroi ajo në një postim në Facebook.

Çitaku shkroi se “UÇK-ja dhe NATO-ja u bënë bashkë për lirinë e Kosovës dhe për ta ndalur regjimin gjenocidal të Serbisë. Ky bashkim shpëtoi jetë dhe i hapi Kosovës rrugën drejt një të ardhmeje të lirë e shpresëdhënëse”.

“Lufta e popullit tonë ishte e drejtë, e pashmangshme dhe çlirimtare. Paraqitja e saj si “ndërmarrje e përbashkët kriminale” cenon të vërtetën e asaj që mbrojtëm bashkë. Këtë të vërtetë do ta mbrojmë gjithmonë, me krenari, vendosmëri dhe argumente. Mirënjohje SHBA-së dhe senatorëve për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën, edhe në kohët kur kjo kërkon më shumë angazhim, vetëmohim e vendosmëri”, shkroi ajo.

Related Articles