Çitaku: Për dekada eksponentë të VV-së kanë mbjellë helm e kërcënuar

Çitaku: Për dekada eksponentë të VV-së kanë mbjellë helm e kërcënuar

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka kujtuar se si gjatë kohës ku ajo shërbente si ambasadore e Kosovës në SHBA,  ishte goditur me vezë teksa ishte pjesë e një bashkëbisedimi me Christopher Hill, në Universitetin e Colorados.

Çitaku ka kujtuar se si vajza  nga e cila ishte sulmuar, e kishte quajtur deputeten e PDK ‘’ vrasëse e kriminele ( duke aluduar në rastin Dehari)’’.

‘‘Për dekada, eksponentë të VV-së kanë sharë, fyer e kërcënuar. Kanë mbjellë helm e kanë stigmatizuar. Si pasojë, shoqëria jonë është më e polarizuar se kurrë më parë. Pjesë të përgjegjësisë kemi edhe ne, sepse shpesh kemi zgjedhur heshtjen në vend të ligjit, faljen në vend të drejtësisë’’, ka shkruar ajo mes tjerash.

Ajo ka thënë edhe se dhuna, qoftë fizike apo verbale, nuk duhet as të amnistohet, as të normalizohet.

Këto komente Çitaku i ka bërë një ditë pas incidentit fizik ku është përfshirë deputeti i LDK-së Armend Zemaj, me një qytetar, në sheshin e Prishtinës.

Postimi:

Nuk e harroj kurrë, diku para tetë vitesh, isha në Universitetin e Colorados, në një bashkëbisedim për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor.

Isha mysafire e Ambasadorit Christopher Hill, i cili atëkohë shërbente si dekan në Departamentin për Marrëdhënie Ndërkombëtare.

Drejt fundit të diskutimit, një vajzë e re nga Kosova u ngrit, më quajti vrasëse e kriminele ( duke aluduar në rastin Dehari), ndërsa Ambasadorin e akuzoi se po promovonte “vrasësit”.

Në fund, na goditi me vezë.

Nuk mbaj mend ndonjë rast tjetër ku jam ndier më në siklet. M’u desh të arsyetohesha para një audience që kishte ardhur të dëgjonte për Kosovën, për politikën e jashtme dhe aspiratat tona për anëtarësim në BE e NATO.

Gabimi që bëra atëherë ishte se nuk e nisa rastin tek organet gjegjëse, sepse sulmi ndaj Ambasadorit të një vendi është vepër e rëndë, për arsye të imunitetit diplomatik. Zgjodha ta amnistoja.

Por sot e di se rastet e tilla duhet të ndiqen ligjërisht. Dhuna, qoftë fizike apo verbale, nuk duhet as të amnestohet, as të normalizohet.

Për dekada, eksponentë të VV-së kanë sharë, fyer e kërcënuar. Kanë mbjellë helm e kanë stigmatizuar. Si pasojë, shoqëria jonë është më e polarizuar se kurrë më parë.

Pjesë të përgjegjësisë kemi edhe ne, sepse shpesh kemi zgjedhur heshtjen në vend të ligjit, faljen në vend të drejtësisë.

Related Articles