Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka thënë se dënimi i Gjykatës Themelore të Pejës prej 7 vite e 6 muaj burgim për vrasjen ndaj Agonis Tetaj, është “i turpshëm”.
Këtë reagim Çitaku e ka bërë përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.
“7 vjet e gjysmë dënimi për vrasje. 7 vjet e gjysmë. Skandal. Turp. Tmerr”, ka shkruar ajo.
Shaban Gogaj është dënuar me 7 vite e 6 muaj burgim për vrasjen nga pakujdesia të Agonis Tetaj, në shtator të vitit 2018 në Deçan.
Bazuar në aktgjykim Gogaj është gjykuar për vrasje nga pakujdesia për 5 vite burgim dhe 3 vite burgim për armëmbajtje pa leje.
Gjykata për të akuzuarin Shaban Goajn caktoi dënimin unik prej 7 viteve e 6 muaj . Kurse i pandehuri Isuf Cacaj për armëmbajtje pa leje dënohet me 2000 euro.
Të pandehurit Gogaj do t’i konfiskohet një armë e zjarrit dhe një armë me gaz.
Në seancë ka qenë prezent edhe ish-avokati i të akuzuarit Gogaj, Besnik Berisha, i cili ishte përjashtuar nga ky rast.