Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se është i pasaktë raporti i fundit i “Freedom House”, për vitin 2021, ku përmendet ish-presidenti Hashim Thaçi se ka pasë ndikim në vendosjen e njerëzve nëpër pozitat kyçe.
Ajo ka shtruar pyetjen se si ka mundur Thaçi të zgjedhë dhe emërojë njerëz kur që dy vjet është duke u mbajtur në Qendrën e Paraburgimit në Hagë e ku çdo vizitë dhe telefonatë monitorohet.
“Presidenti Thaçi pothuajse dy vjet po mbahet padrejtësisht në Qendrën e Paraburgimit në Hagë, duke iu mohuar e drejta për mbrojtje në liri. Duke mos qenë as fizikisht në Kosovë, e aq më pak politikisht aktiv, do të doja ta di formulën magjike që sipas raportit në fjalë, z.Thaçi e paska përdorur për të zgjedhur e emëruar njerëz në Kosovë. Për më tepër, çdo vizitë dhe çdo telefonatë e zotit Thaçi është e monitoruar”.
Çitaku thotë se janë pikërisht këto raporte që Prokuroria në Hagë mezi pret që t’i keqpërdorë për t’i mbajtur krerët e UÇK-së në paraburgim.
“Këto lloj raportesh, po të mos ishin edhe të dëmshme, do të ishin thjeshtë qesharake. Janë pikërisht raporte të tilla, pa burim informacioni dhe pa asnjë fakt të vetëm, që Prokuroria në Hagë mezi pret t’i keqperdor për t’i lënë krerët e UÇK-së edhe më tutje në paraburgim”.
“Sigurisht, edhe nga burgu, i gëzohen çdo suksesi të Kosovës, por as përpjekjen më të vogël nuk e bëjnë për të pasur çfarëdo lloj ndikimi politik”.
Në raportin e “Freedom House” për vitin e kaluar thuhet se ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj kanë lidhje me krimin e organizuar, korrupsionin, si dhe emërimet nëpër pozita të larta.
“Figura të rëndësishme politike në Kosovë, përfshirë ish-presidentin [Hashim] Thaçi dhe ish-kryeministrin [Ramush] Haradinaj, kanë lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsionin e nivelit të lartë, dhe luajnë rol të fuqishëm në politikë, si dhe kanë ndikuar në vendosjen e njerëzve nëpër pozitat kyçe”, thuhet në këtë raport.
Ish-presidenti Hashim Thaçi përmendet në këtë raport që përfshin periudhën kohore të vitit të kaluar, ani se ai ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë bashkë me ish-krerët e UÇK-së gati tash e dy vjet.