Çitaku, veteranëve: Festoni 17 Shkurtin, qeveritë janë të përkohshme

Çitaku, veteranëve: Festoni 17 Shkurtin, qeveritë janë të përkohshme

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, i ka bërë thirrje veteranvë të OVL-UÇK-së, që ta festojnë Ditën e Pavarësisë së Kosovës, pasi këta të fundit thanë se nuk do ta bëjnë një gjë të tillë, si shenjë pakënaqësie me pushtetin.

“Të nderuar veteranë, i kuptoj dilemat tuaja. Si mund të festosh me ata që të kanë mohuar? Si mund të gëzosh me ata që të kanë quajtur mercenar? Si mund ta ndash festën me ata që për vite të tëra të kanë trajtuar si barrë, e jo si themel të kësaj lirie?”, shkroi Çitaku në një postim në Facebook.

“Por, veteranë të nderuar, ju që dhatë gjithçka, ju që keni mbetur me plagë në trup e shpirt – kjo është festa juaj! Kjo nuk është festa e politikës, e as e atyre që sot ndajnë popullin e Kosovës në “të mirë” e “të këqij”. Kjo është festa e të gjithë atyre që sakrifikuan; e nënave që nuk panë më kurrë djemtë e tyre; e atyre që luftuan me armë, me fjalë, me guxim e me shpresë”, u shpreh tutje ajo.

“Feston ose jo, zemra jote di pse. Dhe askush s’mund t’jua marrë meritat. Askush s’mund t’jua zbehë luftën. Askush s’mund t’jua shuajë dhimbjen”.

“Lutja ime për ju, me përulësi, është: festoni! Politikanët dhe qeveritë janë të përkohshme. Ju jeni të përhershëm”.

“Pak rëndësi ka nëse jeni pjesë e ceremonive qeveritare. Ju, ju festoni!”

“Lavdi të rënëve për liri! Respekt i thellë për ju, që e bëtë këtë ditë të mundshme!”, përfundoi Çitaku. /Gazeta Enigma

Related Articles