Pas dhjetë vjet përpjekjesh dhe miliarda shpenzimesh për ta bërë të mundur, Manchester City është më afër se kurrë triumfit në Ligën e Kampionëve.
Një fitore e ardhur me përmbysje ndaj Paris Saint-Germainit (2:1) të mërkurën, në gjysmëfinalen e parë, ka bërë që skuadra e Pep Guardiolas të shihet favorite jo vetëm për kualifikim në finale, por edhe triumf në Champions. Megjithatë, City duhet të konfirmohet si finalist edhe pas ndeshjes së kthimit që do të zhvillohet të martën e ardhshme në “Etihad Stadium”.
Një përplasje midis kampionit në fuqi të Ligue 1 dhe fituesve të Premier Leagues shihet gjithashtu si betejë ndërmjet përfaqësuesve të Katarit që përkrahin PSG-në dhe atyre të Abu Dhabit që kanë në pronësi skuadrën e Cityt. Me gjithë ndryshimet e fytyrës së futbollit evropian, me investimet e tyre në tregun e transferimeve gjatë dekadës së kaluar, të dy klubet janë ende duke pritur për lavdinë e fundit të fitimit të Ligës së Kampionëve.
PSG-ja ishte afër këtij suksesi edicionin e shkuar, por u mposht në finale nga Bayern Munichu 1:0.
Ndërsa këtë edicion PSG-ja arriti në gjysmëfinale pasi eliminoi Barcelonën e Bayernin. Në fakt francezët e nisën mirë duelin edhe ndaj Cityt pasi në fillim të pjesëlojës së parë kaluan në epërsi nëpërmjet Marquinhosit. Mirëpo, me golat e Kevin de Bryune e Riyad Mahrez skuadra e Cityt e fitoi ndeshjen.
Në katër sezonet e para të Guardiolas në krye të Cityt pengesat më të mëdha ishin në fazën e nokautit. Monaco, Liverpooli, Tottenhami dhe Lyoni ishin skuadrat që e eliminuan Cityn para fazës gjysmëfinale.
Ish-trajneri i Barcelonës dhe Bayern Munichut shpesh është akuzuar për mbivlerësim të taktikave të tij në fazat e fundit të kësaj gare, vetëm për të shkaktuar konfuzion mes lojtarëve të tij. Por, këtë herë Guardiola qëndroi pranë sistemit pa sulmues që e ka çuar Cityn në prag të titullit të tretë të kampionit në Premier League në katër vjet. Katër futbollistët fleksibilë të Cityt, Kevin de Bruyne, Phil Foden, Riyad Mahrez dhe Bernardo Silva morën topin dhe kontrollin e lojës ndaj PSG-së në pjesën e dytë.
“Ne jemi mirë duke luajtur në një mënyrë të caktuar, nuk mund ta bëjmë në një mënyrë tjetër”, tha Guardiola për ritmin e lojës të ekipit të tij. “Tani, në ndeshjen e dytë, dua që të jemi vetvetja. Kjo është shumë e rëndësishme dhe jam optimist se do të vazhdojmë tutje”.
Ndoshta gjëja më e rëndësishme është se fati i Cityt në fazën e Champions Leagues gjithashtu mund të ketë ndryshuar. Vendimet e diskutueshme të arbitrave dhe ndërhyrjet e sistemit VAR, luajtën një pjesë të madhe pasi ata u eliminuan para Liverpoolit, Tottenhamit e Lyonit në tre vjetët e fundit.
Fundjavën e kaluar Guardiola ngriti trofeun e tij të shtatë të madh si trajner i Cityt pasi triumfoi për herën e katërt rresht në Kupën e Ligës.
Në kohën që PSG-ja mbërrin në Manchester javën e ardhshme, titulli i tij i tretë në Premier League mund të konfirmohet për të barazuar suksesin që e pati te Barcelona e Bayerni, ekipe që gjithashtu fituan nga tre tituj të kampionit. Por trofeu që Manchester City lakmon më shumë është ai që i është shmangur Guardiolas, Liga e Kampionëve. Këtë garë Guardiola për herë të fundit e ka fituar si trajner i Barcelonës në vitin 2011. Misioni i Cityt nuk është ende i plotë, por ekipi anglez tashmë ka marrë pamjen e fituesit të Ligës së Kampionëve.