Presidenti dhe qeveria e Finlandës njoftuan se vendi nordik synon të aplikojë për anëtarësim në NATO, duke i hapur rrugëë aleancës ushtarake Perëndimore prej 30 anëtarësh që të zgjerohet, mes luftës së Rusisë në Ukrainë.
Presidenti Sauli Niinisto dhe kryeministrja Sanna Marin e bënë njoftimin në një konferencë të përbashkët shtypi në Pallatin Presidencial në Helsinki.
Parlamenti finlandez pritet të miratojë vendimin në ditët në vijim, por ai konsiderohet një formalitet.
Një aplikim zyrtar për anëtarësim do të dorëzohet më pas në selinë e NATO-s në Bruksel, ka shumë të ngjarë në një moment të caktuar të javës së ardhshme, raporton AP.
Finlanda ndan një kufi prej 1 mijë e 340 kilometrash me Rusinë, ndërkohë që kjo e fundit e ka paralajmëruar shtetin nordik për pasoja nëse aplikon për anëtarësim në Aleancën Veri-Atlantike.
Edhe Suedia po i afrohet anëtarësimit në aleancën ushtarake, ndërsa ministrat e jashtëm të bllokut vazhdojnë bisedimet në Berlin, shkruan BBC.
Por çka është NATO-ja?
NATO – Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut – është një aleancë ushtarake. Ajo u formua në vitin 1949 nga 12 vende, duke përfshirë SHBA, MB, Kanada dhe Francë.
Anëtarët pranojnë t’i vijnë në ndihmë njëri-tjetrit nëse sulmohen me armë. Finlanda do ta çojë atë në 31 anëtarë.
Qëllimi fillestar i NATO-s ishte të kundërshtonte zgjerimin rus në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.
Pas rënies së Bashkimit Sovjetik në 1991, shumë nga ish-aleatët e tij të Evropës Lindore iu bashkuan NATO-s.
Si munden Finlanda dhe Suedia t’i bashkohen NATO-s?
Të dyja vendet kanë qenë neutrale për shumë vite, por mbështetja publike për anëtarësimin në NATO është rritur që kur Rusia pushtoi Ukrainën.
Mund të duhet një vit për të aplikuar dhe për t’u bërë anëtare e NATO-s. Por Britania e Madhe dhe SHBA-ja kanë thënë se do të ofronin mbështetje ushtarake për Suedinë dhe Finlandën nëse ata do të sulmoheshin më parë.
Për t’u bashkuar me NATO-n, vendet duhet të jenë demokraci, t’i trajtojnë pakicat me drejtësi dhe të angazhohen për zgjidhjen e konflikteve në mënyrë paqësore.
Ata gjithashtu duhet të ofrojnë mbështetje ushtarake për aleancën.
Si Finlanda – e cila ka një kufi prej 1 mijë e 340 km me Rusinë – edhe Suedia ka ushtri shumë të aftë.
Anëtarët e NATO-s bien dakord të shpenzojnë 2% të GDP- së së tyre për mbrojtjen. Finlanda e përmbush këtë objektiv dhe Suedia do ta bëjë këtë “sa më shpejt të jetë e mundur”.