Haki Abazi, kandidat për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka deklaruar se emisari amerikan, Richard Grenell, iu ka thënë zyrtarëve të kësaj partie që Kosova vetë t’i zgjidhë problemet me veri, duke shtuar se secili opsion tjetër s’do të ishte në favor të Kosovës.
Në “Zgjedhjet në KOHË”, Abazi ka thënë të enjten se Kosova mund të befasohet nga secili vendim i papritur i administratës Trump mbi zgjidhjen e çështjes së veriut. Ai ka deklaruar se Kosova “s’duhet të jetë problematizuese e çështjeve të brendshme”.
“Nuk mund të flas në emër të Administratës, por në asnjë formë s’duhet ta vendosim veten në tavolinë si problem sidomos nëpërmjet veriut. Çdo problem i veriut të problematizohet, në rastin e Trumpit, zgjidhet s’janë të elaboruara. Mund të befasohemi nga zgjidhjet që mund të vinë të prera merre ose lëre”, ka thënë Abazi.
Sipas tij, Grenell ka porositur që Kosova të mos jetë krijuese e krizave.
“…Kemi një marrëveshje të prezencës së NATO-s në Kosovë që është në avantazhin tonë. Ne duhet të mos krijojmë situata ku bashkësia ndërkombëtare, e frustruar, mos të thotë që jeni prodhues të krizave dhe ato zgjidhni ju. Ky ka qenë mesazhi që kishim në Shtetet e Bashkuara. S’mund të merremi me një problem që e ka gjenerimin, e diçka tjetër diskutohet në Bruksel, e diçka tjetër në SHBA për veriun. Këtë e ka thënë Grenelli. S’është e mençur përplasja me SHBA-në, që të ballafaqohemi me situata që s’e kemi përgatitur as veten as institucionet tona”, ka thënë Abazi.