Çka ndodhë nëse Suedia kërkon ekstradimin e Naim Murselit, flasin nga Ministria e Drejtësisë

Çka ndodhë nëse Suedia kërkon ekstradimin e Naim Murselit, flasin nga Ministria e Drejtësisë

I dyshuari për porositjen e vrasjes së Liridona Ademajt, bashkëshorti i saj Naim Murseli nuk do të ekstradohet në Suedi, edhe nëse një kërkesë e tillë u drejtohet autoriteteve të Kosovës. Duke iu referuar ligjit në fuqi, Ministria e Drejtësisë ka thënë qartazi se ekstradimi nuk lejohet për veprat penale që kryhen në tërësi në territorin e Republikës së Kosovës. Ndërkohë, autoritetet suedeze nuk janë përgjigjur nëse do të bëjnë kërkesë të tillë.

Ministria e Drejtësisë së Kosovës u ka dhënë fund dyshimeve se Naim Murseli mund të ekstradohet në Suedi, lidhur me rastin e vrasjes së bashkëshortes së tij, Liridona Ademajt

Në një përgjigje express, Ministria e Drejtësisë ka sqaruar se ligji e përcakton se ekstradimi nuk lejohet për veprat që kryhen në territorin e Republikës së Kosovës.

“Sa i përket pyetjes së parë ligji në fuqi në Republikën e Kosovës e përcakton se ekstradimi nuk do të lejohet për veprat penale të kryera në tërësi në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigje.

Sipas Ligjit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në çështjet penale, Nenit 6, “Ekstradimi nuk do të lejohet për veprat penale të kryera në tërësi në territorin e Republikës së Kosovës dhe mund të mos lejohet për vepra penale të kryera pjesërisht në territorin e Republikës së Kosovës”.

Murseli, i cili ka shtetësi suedeze, dyshohet se porositi vrasjen e gruas së tij, duke i premtuar 30 mijë euro Granit Plavës për ta kryer krimin e rëndë. Ndërsa, i arrestuari tjetër për këtë rast, Kushtrim Kokalla, dyshohet për marrëveshje për të kryer veprën penale vrasja e rëndë.

Gazeta Express ka pyetur edhe autoritetet suedeze nëse do të përfshihen në hetime dhe nëse do të kërkojnë ekstradimin e Murselit, por kanë thënë se këtyre pyetjeve nuk mund t’u përgjigjen për shkak të rregullave të fshehtësisë.

“Ju lutemi të jeni të informuar se pyetjeve si këto, si parim i përgjithshëm, nuk mund t’u përgjigjeni për shkak të rregullave të fshehtësisë”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë së Suedisë.

Dyshimet se Murseli mund të ekstradohet në shtetin suedez i kishte ngritur avokatja nga Suedia, Arlinda Loncari.

“Ka mundësi. Kjo nuk është folur aspak nëpër media”, ishte shprehur ajo.

Si ndodhi rasti – çka tha Gjykata kur u caktoi nga një muaj paraburgim?

Tre të dyshuarit për krimin e rëndë, Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, ndodhen në paraburgim. Sipas njoftimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, Murseli dyshohet për veprën penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, Plava për veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe vepën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”,  derisa Kokalla për veprën penale “Marrëveshja për të kryer veprën penale Vrasje e rëndë.”.

Caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji për secilin veç e veç, Gjykata e ka arsyetuar “ngase ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprat penale, të njëjtit mund të ndikojnë në të bashkëpandehur, në të dëmtuar dhe në dëshmitarët si dhe rreziku i përsëritjes së veprave penale, në veçanti pesha e rëndë e veprës penale”.

Në këtë njoftim, Gjykata kishte treguar edhe dyshimet se si kishte ndodhur rasti.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri N.M me dashje që ta privojë nga jeta në mënyrë dinake bashkëshorten e tij, ishte marrë vesh me të pandehurin G.P për ta vrarë tani të ndjerën L.M, ku paraprakisht i pandehuri N.M e kishte pajisur me armë të pandehurin G.P dhe kishin inskenuar veprën penale të Grabitjes, e cila është realizuar me datë 29.11.2023 rreth orës 20:25 minuta , në fshatin Bernicë, Komuna e Prishtinës, në atë mënyrë që derisa i pandehuri N.M ishte duke lëvizur me veturën e tij, në të cilën kanë qenë e ndjera L.M dhe dy fëmijët e tyre, papritmas ka dalë para veturës i pandehuri G.P me maskë në kokë dhe revole në dorë, ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri N.M me fëmijët kishin dalë nga vetura dhe ishte larguar nga vendi I ngjarjes kinse për të ikur, ndërsa në veturë kishte mbetur tani e ndjera, të cilën i pandehuri G.P e kishte qëlluar nga afërsia me një plumb në qafë dhe si pasojë e plagës vdekjeprurëse, e ndjera L.M kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa për këto veprime i pandehuri N.M, paraprakisht i kishte premtuar të pandehurit G.P shumën e të hollave prej 30,000.00 €”, thuhet në njoftim.

Si u tentua të fshihej rasti?

Ky rast fillimisht ishte kualifikuar si “Grabitje me pasoja të vrasjes”, duke u bazuar në rrëfimin e Naim Murselit.

Në raportin 24 orësh të Policisë u tha se viktima ka qenë në veturë me bashkëshortin dhe dy fëmijët, kur një person i panjohur i armatosur  i ka ndaluar dhe ua ka kërkuar të gjitha gjërat me vlerë dhe pastaj ka qëlluar me armë zjarri.

“GRABITJE ME PASOJA TË VRASJES – Rr. Dlip Alshiq, Prishtinë  29.11.2023 –20:26.  Raportohet se viktima femër kosovare, derisa ka qenë me bashkëshortin dhe dy fëmijët e tyre me veturë, një person i panjohur i armatosur i ka ndaluar dhe ua ka kërkuar të gjitha gjërat me vlerë dhe është qëlluar me armë zjarri për vdekje. Lidhur me rastin është intervistuar bashkëshorti i saj, dëshmitari mashkull kosovar i cili kishte arritur të largohet nga vetura me dy fëmijët e tyre. Njësit relevante policore, prokurori dhe ndihma e shpejtë urgjente kanë dalë në vendin e ngjarjes, nga mjeku është konstatuar vdekja  e viktimës. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport.

Related Articles