Më 18 maj, mediat publikuan një video-inqizim, ku shihej punëtori i sigurimit të qendrës tregtare “Albi Mall” në Prishtinë, teksa grushtonte një person tjetër, raporton Gazeta “Enigma”.
Punëtori i sigurimit të kësaj qendre ka rrahur një tjetër duke i shkaktuar lëndime trupore.
Lidhur me këtë Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë për ndalimin e të dyshuarit E.N në kohëzgjatje prej 48 orësh.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, ju njofton se me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar personin me inicialet E.N., me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Lëndimi i rëndë trupor”, nga neni 186 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Po ashtu, ju njoftomë se nga pranimi i informacionit për një incident i cili ka ndodhur në qendrën tregtare “Albi Mall”, prokurori kujdestar nga ky departament ka autorizuar policinë në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, në mënyrë që të sqarohet ky rast në plotëni.
Pas sigurimit të video-incizimit, si dhe pranimit të raportit mjekësor të personit me inicialet A.M., Prokurori i Shtetit, ka autorizuar policinë për ndalimin e të dyshuarit E.N., lidhur me veprën penale të lartcekur.
I dyshuari, me aktvendim të prokurorit është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh”, thuhet në njoftim./Gazeta Enigma.