Çka thanë sot para Speciales dy ish-zyrtarët e lartë amerikan? – Gazeta Enigma ju sjell detajet

Çka thanë sot para Speciales dy ish-zyrtarët e lartë amerikan? – Gazeta Enigma ju sjell detajet

Ish-ndihmëssekretari i Shtetit në  administratën e Shteteve të Bashkuara gjatë viteve 1997-2000, James Rubin, sot në ditën e tretë, vazhdoi dëshminë para Gjykatës Speciale, ku më së shumti foli për veprimtarinë e ish-presidentit Hashim Thaçi, gjatë dhe pas luftës.

Pas Rubin, listës së dëshmitarëve iu bashkëngjit edhe ish-Këshilltari i delegacionit të Kosovës në Rambuje, Paul Williams.

Çka tha James Rubin?

Rubin sot përfundoi dëshminë e tij, ku ishte thirrur nga mbrojtja e Thaçit. Ai edhe sot foli më së shumti për Thaçin, ndërkohë që tregoi edhe për lidhjen e ish-presidentit me veprimtarin Adem Demaçi.

“Demaçi ishte një person me status të lartë në Kosovë, në lartësinë e Nelson Madelës”

Gjykatësi lëshoi një pjesë të një dokumentari të vitit 2000 të publikuar nga BBC ku ish-sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, i referohet Thaçit si lider.

Gjykatësi tha se dje Rubin deklaroi se Adem Demaçi ishte lider.

Rubin u përgjigj se Demaçi ishte një person me status të lartë në Kosovë, në lartësinë e Nelson Madelës.

“Unë mendoj që ajo ka zgjedhur me kujdes fjalët e saj. Ajo nuk tha lideri, por një prej liderëve. Dhe ka një dallim të madh. Ajo e krahasoi me Gary Adams. Një lider që e drejtoi kombin drejt lirisë”, tha Rubin.

“Ne donim që ai të kthehej një udhëheqës i një kombi, që me shpresë do të ishte i lirë. Po ju korrigjoj, ajo tha një drejtues të një grupi. Një drejtues i një delegacioni që ishte zgjedhur nga delegacioni shqiptar. Ai kishte një pozicion udhëheqës. Edhe nëse ka thënë udhëheqës i delegacionit, kjo është e saktë”, shtoi Rubin.

“Albright ka Thaçin dhe Demaçin”

Gjykatësi po ashtu e pyeti nëse Rubin ishte në dijeni se Thaçi kishte kërcënuar dy anëtarë të delegacionit të Kosovës në Rambuje që nuk ishin pjesë e UÇK-së, pasi në videon e transmetuan u shfaqën duke folur në atë dokumentar Veton Surroi dhe Dukagjin Gorani.

“Ta ndajmë kërcënimin fizik nga ai moral. Jo nuk e kam ditur që ka pasur kërcënim fizik, por e di që ka pasur presion ideologjik pro ose kundër pavarësisë sepse kjo ishte kryesorja për lëvizjen gjatë luftës. Kështu që Albright e ka kërcënuar Thaçin duke i thënë se nëse nuk nënshkruan, nëse i lë njerëzit e pambrojtur nga serbët… kam dëgjuar edhe se është kërcënuar edhe Demaçi”, tha Rubin.

“Komunikatat e UÇK-së ishin përpjekje për ta bërë më të rëndësishme organizatën”

Rubin ka folur sërish për UÇK-në e cila sipas tij nuk kishte strukturë të organizuar siç e kanë ushtritë.

Ai tha se kishte më shumë grupe, klane, por jo strukturë të mirëfilltë ushtarake.

“Me sa pashë unë nuk ka pasur batalione, brigada apo njësi në UÇK, nuk besoj se nuk ka pasur organizim nga pikëpamja ushtarake”, tha Rubin.

Ai mohoi të kishte dijeni se në UÇK kishte polici ushtarake.

“Unë e di që kishin uniforma, disa kishin disa jo. Ne nuk i konsideronim ata si komandantë apo shtab i përgjithshëm”.

Në lidhje me komunikatat e UÇK-së, Rubin tha se ka lexuar shumë prej tyre, por tha se i dukeshin si përpjekje për ta bërë UÇK-në më të rëndësishme sesa ishte. Ai ato i ka quajtur manipulime.

“Për mua ishin thjesht manipulime. Kam lexuar shpesh komunikata [të UÇK], por më dukeshin si përpjekje për ta bërë UÇK-në më të rëndësishme se ç’ishte. Për mua ishin thjeshtë manipulime”, tha Rubin.

Thaçi e kërcënoi Surroin e Goranin në Rambuje?

Gjatë seancës u prezantua një video-dokumentar i BBC-së, në të cilin reporteri thoshte se fokusi ka qenë tek delegacioni shqiptar. Ai thoshte se ky delegacion kishte zgjedhur një person pa përvojë dhe të ri si udhëheqës të tyre, Hashim Thaçin. Tha se i terë delegacioni e nxiti Thaçin që ta pranonte marrëveshjen por që ai refuzoi sepse marrëveshja nuk kishte përfshirë asgjë me pavarësinë.

Aty u tha se një person me emrin Dugi Gorani thoshte se delegacioni e emëroi Thaçin si drejtues duke mos e ditur se mund të ktheheshin në të burgosurit e tyre.

Veton Surroi kishte thënë se ishte një “po” e shkëlqyer nga të gjitha anët, me përjashtim të Thaçit që ishte shumë i prerë, ngase “tha jo”.

Gorani vazhdoi duke thënë se Thaçi ishte shumë i perë dhe i tha delegacionit ‘shikoni ky dokument, ky formulim është tërësisht i papranueshëm.

Surroi tha se Thaçi përdori gjuhën kërcënuese- dhe mund të kuptohej si kërcënim. E Gorani tha për Thaçin se iu kishte thënë se kushdo që e nënshkruan tani këtë dokument, do ta konsideronte atë si armik të kombit.

Konferenca e Albin Kurtit në emër të Adem Demaçit

Avokati i Thaçit, Luka Misetiq, shfaqi një dokument, ku ishte një konferencë për media e mbajtur nga Albin Kurti, si sekretar i Adem Demaçit.

“Do të iu bëj edhe disa të tjera për Adem Demaçin. Kjo është një konferencë për shtyp e dhënë nga Albin Kurti që në atë kohë ishte sekretar i Demaçit. Titulli është “Asnjë vendim politik pa pëlqimin e Adem Demaçit”. “Albin Kurti tha në konferencë se Adem Demaçi ka udhëtuar me urgjencë në Lublanë”. A e dini pse Adem Demaçi ka udhëtuar më 24 shkurt në Lublanë?”, pyeti Misetiq.

“E kuptova pse kishte shkuar të takohet me diplomatë në Slloveni dhe më vonë e kuptova, sepse me këtë rast pati bisedën me Albright”.

“Z.Kurti përgjigjet “nisja e delegacionit të Kosovës në Rambuje ka qenë gjest i vullnetit të mirë”. Shtoi se me këtë gjest “UÇK-ja ishte e gatshme të sakrifikonte diçka vetëm për të gjetur zgjidhje për Kosovën”. A përputhet kjo me atë që ndodhi si përvojë në Rambuje, që delegacioni shkoi por thanë se nuk kishin autoritetin?”, shtoi avokati.

DËSHMIA E PAUL WILLIAMS

Pasi James Rubin përfundoi dëshminë e tij, po të njëjtën ulëse e zuri ish-Këshilltari i delegacionit të Kosovës në Rambuje, Paul Williams.

Williams, tani profesor i Universitetit Amerikan në Uashington dhe ekspert i së drejtës ndërkombëtare, ka qenë këshilltar për delegacionin e Kosovës në Rambuje të Francës në vitin 1999, kur negociohej përfundimi i luftës.

Williams fillimisht tregoi se kush e ftoi të bëhet pjesë e delegacionit të Rambujes

Williams tha se zgjedhja dhe ftesa e tij për rolin në Rambuje u bë nga Bujar Bukoshi në emër të Ibrahim Rugovës.

“Formalisht u zgjodha para 10 dite që nga thirrja e negociatatve të Rambujesë. M’u kumtua paraprakisht nga Bukosji që nëse do të kishte bisedime në Rambuje, që ai do të kërkonte praninë time. Kjo ishte në kohën e diplomacisë fluturuese të Chris Hill dhe pastaj të Richard Hoolbroke.

Për të qartësuar se kur, kjo ishte gjatë verës dhe vjeshtës 1998, po punoja me Bujar Bukoshin dhe Ibrahim Rugoven, dhe Veton surroin, dhe në koordinim ngushtë me diasporën amerikano-shqiptare, që kishte lidhje të ngushta me ato individë, dhe ato kërkonin këshillën dhe udhëzimin ligjor në çështjet që po negocionin. Më ftoi Bujar Bukoshi në emër të Rugovës të udhëtojë në Rambuje dh të marrë pjesë në negociata në 7 shkurt, ishte vendim formal me konsensus të delegacionit kosovar për të më ftuar që të vitojë në Chateau dhe të jem këshilltar ligjor, dhe Edita Tahiri Bajram Kosumi e nënshkruan vendimin formal”, tha ai.

Williams: Masakra e Reçakut, arsyeja që kosovarët kërkuan ta përfshijë në juridiksion Tribunalin e ish-Jugosllavisë

Williams ka thënë se ka punuar në mënyrë intensive me anëtarët e delegacionit të Kosovës në Rambuje, por edhe me diasporën shqiptare gjatë bisedimeve që u zhvilluan atje.

Ai, para trupit gjykues në Hagë, ka deklaruar se sa i takon Rambujesë atij i është kërkuar nga Fehmi Agani, që të përpilojë dhe të përgatisë gjuhën që ishte sa më gjithëpërfshirëse që Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë të kishte të gjitha përgjegjësit e veta për të zbatuar mandatin e tij.

“Për kontekst të më tejshëm gjatë dy ditëve të para, sa isha në kështjellë, më ftuan që t’i jepja një prezantim delegacionit kosovar për katër tema. Tema e katërt ishte juridiksoni dhe aktivitetet pra hetimet, aktakuzat e Gjykatës së Tribunalit për Ish-Jugosllavinë. Të gjithë anëtarët e delegacionit ishin të pranishëm, kjo përfshinte edhe mësime që kishin nxjerrë nga koha kur unë punoja si këshilltar ligjor për boshnjakët në marrëveshjen e Daytonit”, ka theksuar Williams.

I pyetur se pse ishte e rëndësishme për delegacionin e Kosovës formimi i teksteve sa më të kuptueshme për Tribunalin e Ish-Jugosllavisë, Williams është përgjigjur: “Jurdiksioni dhe aftësia e Tribunalit për ish-Jugosllavinë ishte e rëndësishme për disa arsye, konteksti konkret specifik menjëherë përpara bisedimeve ishte Masakra e Reçakut”.

“Thaçi s’kishte kontroll të plotë mbi negociatat, përfaqësonte interesat nga jashtë”

Nga Mbrojtja e Thaçit, Williams është pyetur se si kishte ardhur në përfundimin se Thaçi ishte i kontrolluar nga jasht.

Williams: Baza për këtë përfundim janë disa faktorë. Bisedat e shumta përmes thirrjeve telefonike që realizonte Thaçi me persona të ndryshëm nga jashtë, dmth nga jashtë kështjellës. Telefoni i tij biente në mënyrë të vazhdueshme, që atij i duhej të shkonte në një cep të dhomës ose të dilte jashtë.

Williams: Përfshirja ime në Rambuje, ku unë takohesha rregullt me një shqiptaro-amerikan që kishte marrëdhënie të ngushtë me UÇK-në dhe individë apo persona të tjerë të cilët më janë identifikuar si pjesëtar të UÇK-së ku ne diskutonim dispozita të ndryshme sa i takonte tekstit të marrëveshjes. Në njërën anë kishim telefonatat që bënte Thaçi, kam fjalën palët e treta, që kishin ide shumë të qarta dhe t’i mund ta lexoje pak edhe nga gjestikulacioni. Ndonjëherë ke ndonjë koklavitje të aktorëve dhe ka shumë palë të tjera, dhe më kanë bërë mua të shkoj në këtë përfundim. Krijohej përshtypja që dikush ishte në kontroll të pjesshëm të negociatave. Mua nuk më është krijuar përshtypja që ai nuk kishte kontroll të plotë mbi negocitatat, por mendoj që ai përfaqësonte interesat nga jasht.

Mbrojtja e Thaçit: A e keni dëgjuar Thaçin duke biseduar me dikë në Kosovë?

Williams: Nga sa kam kuptuar unë, të paktën bazuar në pyetjet, që me kë flet Hashimi në telefon…dhe mua më thonin “Me Kosovën po flet”. Disa nga shqiptarët e Kosovës në kështjellë të cilët i takoja rregullisht, por ideja është që më thonin që atij i vijnë thirrje telefonike nga mëmëdheu dhe vura re, më kujtohet se më shum binte telefoni i tij dhe ai duhej të dilte jashtë. Nuk ishte ai që i kërkonte këto thirrje, por atij i binte telefoni.

Mbrotja: Kur thatë Thaçin e kontrollonin ngushtësisht nga jasht e se ishte në telefon gjithë kohës, a ju kujtohet që keni vënë re u raportonte në mos u nënshtrohej komandantëve të zonës.

Williams:Po

Mbrojtja e Thaçit: Si dolët në këtë konkluzion?

Williams: Ata e telefononin, bisedonin për një periudhë të caktuar kohore dhe më pas ai komentonte për procesin, jepte feedback, prandaj thash që ju raportonte, prandaj dola në këtë përfundim

Mbrojtja e Thaçit:Nga e dinit ai me kë po fliste, flisnit ju shqip?

Williams: Jo Shpesh me që isha në kështjellë u kërkoja kolegëve shqiptarë të Kosovës, ju thosha me kë po flet, dhe ata me thonin me ekipin e tij, me shqiptarët, kosovarët dhe ata vet më kanë thënë që po flket me komandantët lokale.

Mbrojtja e Thaçit: Ju kujtohet ndonjë person konkret nga delegacioni?

Williams: Blerim Shala, Dugi dhe EditaTahiri, sepse në fakt punonin bashkë për dokumentet.

“Thaçi kishte presion nga komandantët lokalë – problemi i Demaçit ishte pavarësia”

Paul Williams ka rrëfyer se Hashim Thaçi ishte nën presion nga komandantët lokalë gjatë bisedimeve, ndërsa shtoi se edhe Adem Demaçi kishte penguar progresin e negociatave, gjë që e detyroi Thaçin të shkonte për një takim në Slloveni.

Në një seancë dëgjimore, Williams u pyet për këtë vizitë:

Misetiq: Nga e dini që Thaçi shkoi në Slloveni për takim me Demaçin?

Williams: Kur pyeta kolegët shqiptarë, ata mu përgjigjën që shkoi në Slloveni për të folur me Demaçin.

Misetiq: A të thanë pse?

Williams: U interesova, e bëra këtë pyetje, si na shërben ne kjo, u thashë. Dhe përgjigja ishte që ishte e domosdoshme. Kishte trysni nga jashtë, nga komandantët lokalë, kishte presion ideologjik, kulturor, prej Adem Demaçit, i cili po pengonte progresin e negociatave. Po them me të ngjarë, po cenonte lëvizjen për realizimin e marrëveshjes. Prandaj, duhej trajtuar ky aspekt.

Misetiq: Kishte problem konkret Demaçi?

Williams: Pavarësia.

U pyet edhe nëse e ka takuar Kadri Veselin në Rambuje

Paul Williams tha se nuk i kujtohet që të akuzuarin Kadri Veseli e ka takuar ndonjëherë në Rambuje.

Williams tha se e ka fjalën edhe gjatë punimeve të delegacioni e po ashtu edhe jashtë ambientit të tyre, konkretisht objektit ku janë mbajtur ato punime.

“Nuk më kujtohet ta kem takuar atë brenda apo jashtë kështjellës”, tha Williams.

Po ashtu, u tha se Mark Weller kishte thënë që në delegacionin kosovar ishin dy persona që cilësoheshin të pavarur dhe ata ishin Veton Surroi dhe Blerim Shala.

Delegacioni, sipas Mark Weller, udhëhiqej nga Hashim Thaçi, një 29-vjecar intelegjent. Sipas tij, emrin e luftës Thaçi e kishte “Gjarpri”, të cilin e kishte fituar në muajt e përparshëm të ballafaqimit ushtarak. Ai kishte thënë se Thaçi kishte efikasitet të lartë në konsolidimin e pikëpamjeve që më parë ishin të ndryshme brenda UÇK-së. Weller kishte thënë se Thaçi shikohej nga Qeveria e Beogradit me urrejtje të veçantë.

Prokuroria kërkoi që kjo deklaratë e Weller të pranohet në prova materiale, por pati kundërshtime nga mbrojtja, e cila tha se dëshmitari asnjë prej këtyre pretendimeve nuk tha që i dinte.

Related Articles