Çmimet e konsumit janë rritur për 5.8 për qind janarin e këtij viti, krahasuar me janarin e vitit 2025.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit (IHÇK) është më i lartë në një mesatare prej 5,8 % në muajin janar 2026, krahasuar me muajin janar 2025 ndërsa inflacioni mujor ishte 1,2 % në muajin janar 2026 krahasuar me dhjetorin e vitit 2025.
Inflacioni vjetor sipas ASK-së kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë për bileta të fluturimeve (50,4 %); furnizim me ujë dhe shërbime të ndryshme që kanë të bëjnë me vendbanimin (44,4 %); lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (17,2 %); energji elektrike (16,7 %); pemë (15,5 %); mirëmbajtje dhe riparim i pajisjeve personale të transportit (15,1 %); shërbime të tjera në lidhje me pajisjet personale të transportit (14,5 %); pushime të organizuara (13,5 %); mish (13,1 %); kafe, çaj dhe kakao (10,3 %); qumësht, djathë dhe vezë (8,7 %); shërbime hoteliere (8,6 %); shërbime ambulantore (8,2 %); pije alkoolike (6,5 %); mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (6,2 %); peshq (6,1 %); kujdes personal (5,9 %); sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira (5,2%); vegla dhe pajisje për shtëpi dhe kopsht (5,1 %); bukë dhe drithëra (4,9 %); prodhime ushqimore (4,9 %); gjëra personale (4,7 %); vajra dhe yndyra (4,3 %); duhan (4,3 %); veshje (2,7 %); perime (2,7 %); dhe këpucë (1,7 %), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 6,2 për qind në IHÇK.
Ndërsa, rënie e çmimeve thuhet se vërehet tek kategoritë karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal (-7,3 %) me një ndikim prej (-0,4 për qind) në IHÇK.
Ndërsa inflacioni mujor ka qenë 1.2 %.
Kjo sipas ASK-së kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te grupet dhe nëngrupet: bileta të fluturimeve (42,1 %); furnizim me ujë dhe shërbime të ndryshme që kanë të bëjnë me vendbanimin (41,4 %); lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (4,6 %); perime (4,2 %); gjëra dhe pajisje të tjera rekreative, kopshtet dhe manaret (1,8 %); energji elektrike (1,5 %); pije alkoolike (1,0 %); dhe mish (0,7 %), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1,4 për qind në IHÇK.
Ndërsa, rënie e çmimeve vërehet te grupi: karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal (-3,4 %) me një ndikim prej (-0,2 %) në IHÇK.
