Armët amerikane u përdorën në sulmin izraelit në një kamp për personat e zhvendosur në Rafah të dielën, sipas një analize të videos nga vendi i ngjarjes dhe një rishikimi nga ekspertët e armëve shpërthyese të kryer nga CNN.
Të paktën 45 njerëz u vranë dhe më shumë se 200 u plagosën në një zjarr që shpërtheu pas një sulmi të ushtrisë izraelite në periferi të qytetit më jugor të Gazës, ku kishte kryesisht gra dhe fëmijë, tha Ministria e Shëndetësisë e Gazës dhe punonjësit mjekësorë palestinezë.
CNN ka gjetur video që tregojnë tendat në zjarr pas sulmit në një kamp për personat e zhvendosur brenda vendit të njohur si “Kampi për Paqe Kuvajti 1”.
Një video e shpërndarë në mediat sociale, të cilën televizioni amerikan e identifikoi si të njëjtin vend duke krahasuar detajet, duke përfshirë një tabelë në hyrje të kampit dhe pllakat në tokë, tregon bishtin e një bombe me diametër të vogël të SHBA-së GBU-39 (SDB), sipas katër ekspertëve të eksplozivëve të armëve që rishikuan videon për CNN.
GBU-39, i prodhuar nga Boeing, është një armë me precizion të lartë “e projektuar për të sulmuar objektiva pikash me rëndësi strategjike” dhe për të rezultuar në dëme të ulëta kolaterale, tha për televizionin amerikan eksperti i armëve shpërthyese Chris Cobb-Smith.
Megjithatë, “përdorimi i çdo arme, qoftë edhe të kësaj madhësie, do të paraqesë gjithmonë një rrezik në një zonë me popullsi të dendur”, tha Cobb-Smith, i cili është gjithashtu një ish-oficer i ushtrisë britanike.
Trevor Ball, një ish-anëtar i ekipit të asgjësimit të mjeteve shpërthyese të ushtrisë amerikane, i cili gjithashtu e identifikoi fragmentin si pjesë e GBU-39, shpjegoi për CNN se si arriti në përfundimin e tij.
“Pjesa e kokës (e armës) është unike, dhe pjesa e drejtimit dhe krahët janë jashtëzakonisht unike në krahasim me armët e tjera. Pjesët drejtuese dhe krahët e armës shpesh mbeten edhe pas shpërthimit të armës. Unë pashë pjesën e bishtit dhe e kuptova menjëherë se ishte një nga variantet SDB/GBU 39”, tha ai.
Numrat serialë në mbetjet e armëve përputhen gjithashtu me ato të një prodhuesi me bazë në Kaliforni të pjesëve për GBU-39, duke ofruar dëshmi të mëtejshme se bombat ishin prodhuar në SHBA.
Kur u pyet për armët e përdorura në sulmin në Rafah në konferencën e djeshme, zëvendës zëdhënësja e Pentagonit Sabrina Singh u tha gazetarëve se ajo nuk e dinte se çfarë lloj armësh ishin përdorur në sulmin ajror.
“Më duhet t’ju drejtoj te izraelitët për të folur për këtë”, tha ajo.