Rusia i ka grumbulluar më shumë se 100,000 trupa pranë kufirit të Ukrainës në javët e fundit, sipas vlerësimeve të SHBA-së, duke rritur frikën nga zyrtarët e inteligjencës perëndimore dhe ukrainase se pushtimi mund të jetë i afërt, raporton CNN.
Ndërsa po bëhen përpjekje të furishme diplomatike për ta shmangur luftën, analistët po paralajmërojnë se ushtria ruse përbën një kërcënim të menjëhershëm për Ukrainën.
Nuk është e qartë se ku do të fillonte pushtimi, nëse do të ndodhte.
Rusia ka krijuar pika presioni në tri anët e Ukrainës — në Krime në jug, në anën ruse të kufirit të të dy vendeve dhe në Bjellorusi në veri, raporton CNN.
Këtu janë të tri frontet nga ku Ukraina dhe Perëndimi janë duke shikuar. Lëvizjet e fundit ruse u zbuluan në secilën prej tyre.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e telefonoi dje presidentin rus, Vladimir Putin, duke i thënë se pushtimi i Ukrainës nga ana e Rusisë “do të shkaktonte vuajtje të mëdha për njerëzit” dhe “do të zvogëlonte pozitën e Rusisë” në botë.
Sipas një komunikate të lëshuar nga Kremlini, Putin i tha Bidenit se përgjigjja e SHBA-së ndaj kërkesave ruse për sigurinë, nuk ka marrë parasysh shqetësimet e Moskës, andaj ajo “do të përgjigjet së shpejti”.
Orët e fundit, SHBA-ja po merret më intensivisht me situatën në Ukrainë për ta parandaluar nisjen e një lufte që tani duket më afër se kurrë.
Në këtë përpjekje, Pentagoni tha se sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, foli në telefon me homologun e tij rus, Sergei Shoigu, për situatën e krijuar. Austin urdhëroi ripozicionimin e përkohshëm të trupave të Gardës Kombëtare jashtë Ukrainës.
Të shtunën, edhe sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i tha homologut të tij rus, Sergei Lavrov, se rruga diplomatike për zgjidhjen e krizës mbetet e hapur, porse kjo kërkon nga Moska “ta shtensionojë situatën”./Gazeta Enigma/