Portieri i Real Madridit, Thibaut Courtois e ka shprehur mllefin dhe zhgënjimin e tij pasi bashkëlojtari i tij, Karim Benzema e fitoi Topin e Artë për vitin 2022.
Courtois dhe Benzema ishin lojtarët kyç të “Los Blancos” në triumfin që e patën në Ligën e Kampionëve dhe në La Liga nën drejtimin e trajnerit Carlo Ancelotti.
Sulmuesi francez e fitoi Topin e Artë për herë të parë në karrierë duke i lënë prapa Sadio Manen, i cili tash është pjesë e Bayern Munichut, dhe Kevin de Bruynen e Manchester Cityt në ceremoninë e mbajtur në Paris.
Courtois, ndërkohë, e fitoi çmimin “Yashin Trophy” si portieri më i mirë i vitit.
Mirëpo, përfaqësuesi belg përfundoi i shtati në renditjen e përgjithshme përkundër faktit se u zgjodh lojtari i ndeshjes në finalen e Championsit ndaj Liverpoolit.
Ai është i nervozuar që nuk përfundoi së paku në podium.
“Jam mjaft i lumtur për Karim Benzeman. Nuk po them se është dashur ta fitoja unë, por unë nuk jam as në podium, ndërsa jam portieri që e fitoi La Ligan dhe Ligën e Kampionëve”, deklaroi Courtois për mediat spanjolle.
“Duket se shënimi i golave është më i mirë se ndalja e tyre. Është një betejë që duhet të fitohet. Duke e parë këtë logjikë dhe duke e ditur se si do të votonin ata, e dija se nuk kisha shanse për ta fituar atë. E shoh të pamundur që një portier ta fitojë Topin e Artë. Nuk e di nëse si portier mund të bësh më shumë se që bëra unë vitin e kaluar”, vazhdoi duke u ankuar ish-portieri i Atletico Madridit dhe Chelseat.
I vetmi portier që e ka fituar Topin e Artë në histori ishte Lev Yashin, në vitin 1963.