Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, ka deklaruar se vetëm nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mund të ketë përshkallëzim të konfliktit në veri të Kosovës.
Përshkallëzimi i mundshëm i konfliktit është një “çështje qendrore” që shqetëson të gjithë aktorët e bashkësisë ndërkombëtare, tha Daçiqi për agjencinë serbe të lajmeve “Beta”.
“Komuniteti ndërkombëtar ka një problem, sepse nuk dëshiron ta pranojë realitetin që tregon se shkaktari kryesor i përshkallëzimit eventual të konfliktit duhet të kontrollohet, dhe ai është kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare në bisedimet me palën serbe theksojnë qartë se, përderisa Kurti është në pushtet, në Kosovë nuk do të ketë paqe apo marrëveshje paqeje”, tha Daçiqi, raporton “Danas”, përcjell Klankosova.tv.
Sipas kryediplomatit serb, problemi kryesor në Kosovë është se Prishtina nuk i përmbush premtimet ndërkombëtare.
“Kur dikush thotë se për të nuk ekziston Marrëveshja e Brukselit dhe se nuk bëhet fjalë për formimin e Asociacionit të Komunave (me Shumicë, shën.red) Serbe, apo kur serbët arrestohen pa arsye në Kosovë dhe kur keni bastisje të vazhdueshme nga njësitet speciale të policisë në veri, gjë që është në kundërshtim me të gjitha marrëveshjet e arritura, atëherë dikush vjen dhe shtron pyetjen pse serbët po protestojnë. Serbët kanë të drejtën e protestës paqësore politike pikërisht, për shkak të akteve të njëanshme të Prishtinës”, theksoi shefi i diplomacisë serbe.
Megjithatë, ai tha se nuk ka “një dëshirë të sinqertë” për të arritur një zgjidhje kompromisi për Kosovën.
“Ekziston vetëm një dëshirë për një rrugë të shkurtër. Ajo rrugë është për të pushtuar ushtarakisht veriun dhe për ta vënë Serbinë para një fakti të kryer – për ta legalizuar pavarësinë e shpallur në mënyrë të njëanshme të Kosovës”, u shpreh Daçiqi.