Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se për Serbinë asnjëherë “nuk ishte e kontestueshme normalizimi i marrëdhënieve me Prishtinën”.
Por, ai thotë se normalizimi s’do të thotë njohje e Kosovës.
Daçiq ka folur pas takimit me ministren e jashtme belge Hadja Lahbib.
“Këto janë dy gjëra të ndara. Kjo e fundit nuk është diskutuar asnjëherë dhe as Serbia s’ka rënë dakord me këtë”, ka thënë Daçiq në konferencë për media.
Ai ka thënë se në vitin 2013 ka nënshkruar marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve.
“Pra, ne presim që pala prishtinase t’i përmbushë obligimet e veta. Dhe për sa i përket Beogradit, ne do të qëndrojmë konsekuent në dëshirën që dialogu të përparojë”, ka thënë Daçiq.
Ai ka thënë se Asociacioni është parakusht.
“E theksoj këtë, sepse AKS-ja është parakusht për normalizimin e mëtutjeshme të marrëdhënieve dhe normalizimin e situatës”, tha Daçiq.
E ministrja belge Lahbib ka thënë se vetëm nëpërmjet dialogut mund të arrihet deri te një normalizim.
“Ne e dimë nga përvoja se vetëm përmes dialogut mund të përparojmë në një mënyrë që është e pranueshme për të gjithë”, ka thënë Lahbib.
Ajo ka thënë se BE-ja kërkon shtensionim dhe një riangazhim për normalizim të marrëdhënieve.
Ajo ka thënë se të premten në Prishtinë do të diskutojë po ashtu për dialogun dhe do të përçojë mesazhin e njëjtë.