Daçiq: Videoja ku shfaqet Radoiçiqi s’është e ditës së sulmit në veri

Daçiq: Videoja ku shfaqet Radoiçiqi s’është e ditës së sulmit në veri

Kryediplomati serb, Ivica Daçiq, ka thënë se nuk e di nëse në videon e publikuar nga ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla është nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, por se është “e dukshme” siç tha ai se kjo” video nuk është nga dita e sulmit në veri të Kosovës”.

“Nuk kam asnjë informacion nëse ai (Radoiçiq) është në video apo jo, vërtet nuk e di”, tha Daçiq për Radio Televizionin e Serbisë më 26 shtator, duke thënë se video “nuk është e asaj dite” dhe se bëhet fjalë për “një shaka”.

Të martën, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, publikoi një video ku tregon se Radoiçiqi ishte në mesin e personave të armatosur që mori pjesë në sulmin terrorist të së dielës në Banjskë të Zveçanit ku u vra polici Afrim Bunjaku.

“Kryekrimineli Radojçiq ka qenë udhëheqës i këtij grupi terrorist dhe i sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Kjo është edhe një dëshmi tjetër mbi veprimtarinë e tij terroriste ndaj Republikës së Kosovës. Nënkryetari i Listës Serbe është prijës i sulmit terrorist dhe grupit të terroristëve”, tha Sveçla.

Related Articles