Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq deklaroi sonte në Shkup se Kosova nuk do të bëhet kurrë anëtare e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), sepse Serbia kurrë nuk do të pajtohet me këtë, duke theksuar se as integriteti territorial i Ukrainës dhe as ndonjë shtet tjetër, mund të jetë më i rëndësishëm se integriteti territorial i Serbisë.
Duke komentuar deklaratën e shefit të diplomacisë së Shqipërisë se Kosova duhet të bëhet anëtare e OSBE-së, Daçiqi u tha gazetarëve se vendimet merren me konsensus në atë organizatë dhe se Kosova kurrë nuk do të mund të anëtarësohet sepse Serbia nuk do të pranojë.
“Është hipokrite që dikush të flasë për nevojën e mbrojtjes së parimit të integritetit territorial, e pastaj haptazi të sugjerojë cenimin e integritetit territorial të Serbisë”, ka thënë Daçiqi, transmeton “Kosovaonllajn”.
Daçiqi përkujtoi se misioni i OSBE-së dikur organizonte zgjedhjet në Kosovë, ndërsa tash kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “as që do që t’i ftojë në zgjedhjet në Kosovë dhe as nuk do t’i lejojë serbët të votojnë në zgjedhjet parlamentare”.
Ai ka njoftuar gjithashtu se gjatë qëndrimit në Shkup është takuar me shefin e diplomacisë ruse Sergey Lavrov, por nuk ka pasur takim bilateral.
“Nuk kemi pasur një takim dypalësh. Unë jam këtu për një kohë të shkurtër, nuk mund të qëndroj më gjatë. U pamë, por nuk patëm takim dypalësh”, tha Daçiqi, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari nëse është takuar me Lavrovin.