Emigrimi masiv në Shqipëri vijon të mbetet një plagë e pashëruar, për të cilën qeveria nuk flet. Arsyet që shumë të rinj zgjedhin rrugët e Evropës për të ndërtuar një të ardhme, janë të shumta, duke filluar nga kostot e jetesës, pamundësitë financiare për t’u arsimuar e deri tek dëshira për të jetuar në një vend evropian dhe jo vetëm.
“Daily Mail” ka përgatitur një reportazh në qytetin e Kukësit, aty ku gjurmët e emigrimit të të rinjve, kryesisht drejt Britanisë së Madhe, ndjehen më shumë. Reportazhi citon se migrimi masiv ka bërë që Kukësi dhe fshatrat malorë përreth tij të etiketohen ‘qytetet fantazmë’ pasi kaq shumë të rinj dhe familje janë larguar me vetëm brezin e vjetër të mbetur pas.
Shumë adoleshentë, teksa kanë folur për “Daily Mail”, duken të pa impresionuar dhe duan të shkojnë në Britani sa më shpejt që të munden, sepse besojnë se do të jenë në gjendje të gjejnë punë lehtësisht dhe të fitojnë shumë më tepër atje.
Një djalë 15-vjeçar i quajtur Dardan, i cili ishte me miqtë në kafenenë Costa në Kukës, u zotua se do të përpiqej të shkonte në MB sapo të mbaronte shkollën e mesme në korrik.
“Në Shqipëri nuk kemi punë apo vend pune. Është një vend i varfër. Unë thjesht dua të shkoj në Angli sepse e di gjuhën. Unë kam anëtarë të familjes nga ana e nënës dhe babait, të cilët tashmë janë atje.
Ndoshta do të arrij atje me një kamion ose me varkë. Do të më kushtojë mijëra euro, por mund t’i marr paratë hua dhe t’i kthej duke punuar. Dua të punoj në Angli si elektricist. Unë e kam mësuar zanatin nga xhaxhai im elektricist”, ka thënë ai.
Fjoli Zhubi, 17 vjeç, i cili ishte gjithashtu në Costa tha se ishte i përgatitur të ikte në MB nëse nuk do të gjente punë pasi të përfundonte një kurs tre vjeçar për t’u bërë mekanik automjetesh në një shkollë profesionale.
“Prindërit e mi nuk duan që unë të shkoj, por nuk do të kem zgjidhje nëse nuk gjej punë. Shanset e mia për të gjetur punë këtu janë vetëm 50/50 sepse ekonomia nuk është e mirë. Rreth 80 për qind e njerëzve që largohen nga kolegji këtu mbeten të papunë.
Nëse është e mundur, do të përpiqem të aplikoj për një vizë për të shkuar legalisht në MB, por mund të më duhet të paguaj për të hipur në një kamion. Unë kam të afërm në Angli dhe e di që do të gjej punë atje”, ka thënë 17-vjeccari.
Romao, 20 vjeç, i cili po vizitonte Kukësin pasi kishte punuar vitet e fundit në Francë dhe Gjermani tha: “Sigurisht, duhet të punojmë jashtë, sepse këtu nuk ka asgjë. Ju shikoni përreth këtu, dhe janë vetëm pleq.”
Asllan Dogjani, deputet i Partisë Demokratike, i cili po vizitonte shtëpinë e familjes së tij në Kukës, tha se shqiptarët janë shumë të varfër, veçanërisht në Kukës dhe veçanërisht të rinjtë.
“Ata duan të largohen sepse nuk kanë punë apo siguri për të ardhmen e tyre. Gjithashtu, ligji në Shqipëri nuk është i njëjtë për të gjithë. Ligji duket se nuk vlen për njerëzit që kanë shumë para ose janë gangsterë, ose janë nga klasa kriminale, por vlen për njerëzit e varfër dhe normalë.
Këtu nuk ka drejtësi dhe nuk mendoj se kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme. Votuesit frikësohen nga njerëzit me më shumë para dhe pushtet. Njerëzit nuk besojnë se do të ketë ndonjëherë ndryshim dhe ata emigrojnë pasi përballen me kaq shumë padrejtësi”, ka thënë ai.