Ndeshja e dytë e serisë gjysmëfinale mes Bashkimit dhe Pejës në palestrën ‘Sezai Surroi’ u mbyll me polemika të mëdha.
Bashkimi ia doli që ta sigurojë fitoren me rezultat 84:78 ndaj pejanëve pas vazhdimeve, të cilat lanë një shijë të hidhur për shikuesit.
Teksa kishin mbetur edhe 5.3 sekonda para se të përfundonte takimi, ndodhi një përleshje mes disa personave në parket ku fillimisht pati dyshime se u përfshinë edhe lojtarë.
Nga ana e Pejës përmes një njoftimi në rrjetet sociale kishin bërë me dije se lojtari i tyre Marquez Townes ishte goditur me grushta në kokë, por çuditërisht ky postim u fshi me të përfunduar takimi.
Sidoqoftë, nga pamjet e incidentit që kanë qarkulluar në rrjetet sociale, duket se e vërteta nuk qëndron krejtësisht ashtu.
Sipas asaj që shihet në video, duket se i gjithë ky incident ka ndodhur si pasojë e përleshjes së disa prej tifozëve vendas të Bashkimit të vendosur në tribunën VIP.
Dyshimet ishin se lojtari pejan Townes dhe lojtari vendas Lejson Zeqiri u munduan që të ndajnë palët e përfshira në këtë rast dhe si pasojë u goditën.
Mund ta vlerësoni personalisht se kush ishte fajtori në këtë rast në bazë të pamjeve të mëposhtme.