Damka dyshohet për dallavere me organizatën që e themeloi Liza Gashi, kishte nënshkruar edhe Gërvalla

Damka dyshohet për dallavere me organizatën që e themeloi Liza Gashi, kishte nënshkruar edhe Gërvalla

Në aktakuzën ndaj ministrit Fikrim Damka, ka dyshime se kanë përfituar organizata të afërta me VV-në.

Njëra prej tyre është “Germin” e themeluar nga deputetja e VV-së, Liza Gashi. Kjo e fundit kishte qenë zv/ministre e Jashtme dhe e Diasporës.

Për këto memorandume ku dyshohet se buxheti u dëmtua mbi 1 milion euro, sipas PDK-së, kishte nënshkruar edhe Donika Gërvalla.

“Fjala është për një ‘Memorandum Bashkëpunimi’, në mes të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal dhe Caritasit Zviceran, në bazë të të cilës, buxheti i Republikës së Kosovës shpenzohet kundërligjshëm në shumë prej 1 milion e 40 mijë euro. Kjo marrëveshje është nënshkruar dhe tashmë është duke u realizuar por një gjë e tillë ka ndodhur vetëm pas Pëlqimit zyrtar të cilin e ka nënshkruar Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla – Schwarz, e cila i ka hapur rrugë nënshkrimit të kundërligjshëm të saj, duke inkurajuar dhe lejuar kështu keqpërdorimin e rreth 1 milion e 40 mijë eurove”, kishte thënë Ariana Musliu-Shoshi.

Aktakuza:

Aktakuzë kundër F.D dhe B.K për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”

Prishtinë, 04 Korrik 2025– Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve F.D. dhe B.K. për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

F.D., në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, dhe B.K., në cilësinë e ushtruesit të detyrës së sekretarit të kësaj ministrie, akuzohen se, nga data 16.08.2021 deri më 24.03.2022, kanë tejkaluar kompetencat e tyre ligjore me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për dy organizata joqeveritare, “Germin” dhe “Caritas Zviceran”.

Sipas aktakuzës të pandehurit, duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Marrëveshjet Ndërkombëtare dhe Procedurat e Financimit Publik të OJQ-ve, dhe në kundërshtim me kompetencat e Ministrisë, kanë tejkaluar limitet e mundësisë së financimit të OJQ-ve nga fondet publike, duke financuar organizatat e përmendura pa organizuar thirrje publike.

Ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës në vlerë prej 1,040,000 euro.

Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë që, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe ndaj tyre të shqiptohet dënim me gjobë dhe dënim me burgim efektiv, pasi vetëm me këto lloje dënimesh do të arrihet qëllimi i paraparë me nenin 38 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Related Articles