Një përleshje fizike ka ndodhur në darkën e fundvitit të ndërmarrjes publike “Prishtina Parking” të martën në mbrëmje, ka konfirmuar drejtori i kësaj ndërmarrjeje, Sokol Havolli.
Ai ka thënë se nuk i di arsyet e zënkës, por se vetë e ka thirrur Policinë “kur e ka kuptuar se dy punonjës të ndërmarrjes kanë pasur incident”.
“Nuk e di arsyen e zënkës, por kur e kam kuptuar se dy punonjës të ndërmarrjes kanë pasë një incident, e kam thirrur Policinë. Tash, Policia është duke u marrë me rastin … Kjo ka ndodhë jashtë. As nuk e kam parë ngjarjen”, ka thënë Havolli për Kohën.
Policia e ka konfirmuar rastin duke thënë se një person është arrestuar, ndërsa një tjetër i është nënshtruar intervenimit kirurgjik për shkak të lëndimit dhe po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ka bërë të ditur Policia në raportin 24-orësh të mërkurën.