Një darkë ekipi në fund të sezonit me synimin për të kaluar kohë së bashku, një mbrëmje e gëzuar e jetuar para fundit të kampionatit dhe mbi të gjitha disa ditë para finales së “Conference League”, të planifikuar për më 25 maj në Tiranë.
Një mbrëmje e këndshme, e cila megjithatë u ndot nga sulmi ndaj dy gazetarëve nga shërbimi i sigurisë së Romës. Dhe kështu, në një moment “amen”, mbrëmja u përmbys.
Në darkën romane mungonin vetëm tre lojtarët anglezë dhe Veretout, por ishin të gjithë të tjerët, të ulur pranë njëri-tjetrit në një tavolinë në formë U-je. Të gjithë së bashku, me pasion dhe në rrezet e diellit, sepse lojtarët për darkën nuk zgjodhën një dhomë private, por u ulën jashtë një prej restoranteve më të famshme në kryeqytet.
Ata ishin larg syve kureshtarë, por gjithsesi ishin jashtë,gjë që do të thoshte gjithashtu se mund të bëheshin disa foto dhe diçka mund të dokumentohej. Lajmi u përhap shpejt.
Darka e organizuar nga kapiteni Pellegrini u filmua kur dy truproja të klubit verdhekuq kërcënuan dy gazetarë dhe dy fotografë, duke i konsideruar fajtorë për prishjen e darkës së ekipit, meqë bënë foto. Gazetarët dhe fotografët kanë jetuar momente vërtet emocionuese.
Ata iu nënshtruan një sulmi në shkallë të gjerë me shuplaka, teksa dy gazetarët u përplasën me mur.
Sipas asaj që u zbulua për “Fanpage.it” nga persona të pranishëm, situata ishte vërtet e zjarrtë. Por çfarë ndodhi saktësisht? Dy fotografë ngjiten në katin e pare të pallatit dhe nga brenda një apartamenti fotografojnë lojtarët e Romës.
Truprojat, të cilat i kishin pikasur, iu bashkohen dhe iu kërkojnë me mënyra jo shumë urbane t’i fshijnë ato foto. Tonet janë ngritur, edhe në prani të të dërguarve të “Repubblica” dhe “Il Messaggero”; të dy duke filmuar diskutimin e nxehtë.
Në atë moment, Lengua sulmohet dhe urdhërohet të dorëzojë telefonin, me qëllim që të fshijë videon e sulmit ndaj fotografëve. Pas refuzimit të qartë vjen një turbullirë me gazetarin që sulmohet. Gazetari i “Il Messaggero” kapet nga jaka e këmishës dhe rrezikon të përfundojë me kokën pas murit, për shkak të shtrëngimit të dhunshëm të truprojës. Fatmirësisht policia ka qenë e pranishme në vendngjarje. E habitur nga ajo që ndodhi, ndërhyri me shpejtësi dhe bëri denoncimin.
Lojtarët e Romës e kuptojnë se çfarë ka ndodhur dhe në vend që ta dënojnë atë sulm, ua vendosin fajin gazetarëve. Skena të këqija, të cilat ndër të tjera vijnë në një kohë kur gjithçka duket se po shkon mirë, ambienti është kompakt dhe bota e Romës po përgatitet të përjetojë finalen e “Conference League” në Tiranë.