Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Mattheë Miller, ka thënë se ShBA-ja nuk ka parë akte që përbëjnë gjenocid në Gaza.
Kjo deklaratë vjen pasi Afrika e Jugut i ka nisur procedurat për gjenocidin në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi operacionin ushtarak të Izraelit në enklavën palestineze.
“Këto janë akuza që nuk duhen bërë lehtë…ne nuk po shohim asnjë akt që përbën gjenocid”, tha Miller në një konferencë të rregullt. “Ky është një përcaktim nga Departamenti i Shtetit,” shtoi ai.
Ai ishte pyetur në lidhje me kërkesën e Afrikës së Jugut të martën që Gjykata Botërore të lëshonte një urdhër urgjent duke deklaruar se Izraeli po shkelte detyrimet e tij sipas Konventës së Gjenocidit të vitit 1948.
Gjykata ka caktuar seancat publike për 11 dhe 12 janar me kërkesë të Afrikës së Jugut. Izraeli tha se do të mbrohej nga akuzat. Izraeli ka vrarë më shumë se 22,000 palestinezë, ka shkatërruar pjesën më të madhe të enklavës dhe ka përfshirë 2.3 milionë banorët e saj në një fatkeqësi humanitare, shkruan Reuters.
Miller tha se nuk kishte ndonjë vlerësim për të ndarë nëse janë kryer krime lufte apo krime kundër njerëzimit.
Uashingtoni kritikoi të martën dy ministra izraelitë për përkrahjen e zhvendosjes së palestinezëve jashtë Gazës, por tha se Izraeli i kishte siguruar zyrtarët amerikanë se deklaratat e tyre nuk pasqyrojnë politikën e tij.
Zyrtarët amerikanë kanë thënë se shumë palestinezë janë vrarë në konflikt. Ata i kanë kërkuar Izraelit – të cilin Uashingtoni i siguron armë – të bëjë më shumë për të mbrojtur civilët.