Kevin De Bruyne është padyshim një nga futbollistët që do të mbetet në historinë e Manchester City. Belgu ka një meritë të madhe në sukseset e The Citizens në vitet e fundit duke u shndërruar në një udhëheqës për skuadrën e Pep Guardiolës.
Mirëpo, historia e tij mund të ishte ndryshe duke qenë se fillimisht De Bruyne ishte pjesë e Chelseat. John Terry kujton pak nga periudha e fantazistit tek Blutë e Londrës me ish-mbrojtësin që thekson se De Bruyne kishte një sjellje fëmijënore.
“Në atë kohë nuk ishte e lehtë të stërviteshe me De Bruyne. Luante shumë pak dhe ishte gjithnjë me humor të keq. Ishte si një fëmijë që shkon të luajë tek parku i lodrave, por asnjë nga fëmijët e tjerë nuk dëshiron të luajë me të.
E mbaj mend shumë mirë kur grindej me Samuel Eto’o. Ai e kritikonte shumë De Bruyne për shkak se nuk impenjohej sa duhej në fushën e lojës”, u shpreh Terry.