Një zyrtar i agjencisë amerikane për luftimin e trafikimit të drogës, e cila funksionon si pjesë e Departamentit të Drejtësisë, DEA, tha të hënën se një prej amerikano-haitianëve të arrestuar nën dyshimin për vrasjen e presidentit të Haitit, Jovenel Moise, ka qenë informator i kësaj agjencie.
Autoritetet haitiane javën e kaluar arrestuan dy amerikano-haitianë, Joseph Vincen dhe James Solages, dhe i akuzuan për bashkëpunim me 26 kolumbianë në sulmin fatal ndaj presidentit Moise, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Zyrtari amerikan i DEA-s, i cili foli në kushte anonimiteti, refuzoi të tregonte se cili nga dy amerikano-haitianët ka qenë informator i agjencisë së ShBA-së për luftimin e drogës.
“Njëri nga të dyshuarit në vrasjen e presidentit të Haitit, Jovenel Moise, ishte burim konfidencial i DEA-s”, tha zyrtari i kësaj agjencie përmes një shkrese elektronike, duke shtuar se i dyshuari ka kontaktuar me DEA-n pas vrasjes, por agjencia e ka nxitur që të dorëzhohet. “Këta indidivë nuk kanë qenë duke vepruar në emër të DEA-s”, thuhet më tej në shkresë.
Një burim i forcave të rendit tha se i dyshuari nuk ka qenë informator aktiv në kohën e vrasjes së presidentit haitian.
Një amerikano-haitian i tretë, Christian Emmanuel Sanon, u arrestua të dielën nga autoritetet e Haitit. Ai akuzohet se ka qenë organizator i sulmit.
Agjencitë amerikane të inteligjencës janë duke zhvilluar hetime se pse këta tre amerikano-haitianë mund të kenë marrë pjesë në vrasjen e presidentit të Haitit.
Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara tha të hënën se i është kërkuar nga Haiti që të ofrojë ndihmë në hetimet rreth vrasjes së presidentit Moise dhe se tashmë është duke bërë një gjë të tillë.