“Defender Europe 25” nis më 25 maj, stërvitje ushtarake në Shqipëri dhe Kosovë

“Defender Europe 25” nis më 25 maj, stërvitje ushtarake në Shqipëri dhe Kosovë

Shqipëria dhe Kosova do të jenë nikoqirë të një prej stërvitjeve më të mëdha ushtarake shumëkombëshe, e njohur si “Defender Europe 25”, e cila do të zhvillohet më 25 maj.

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, njoftoi se stërvitja, që do të drejtohet nga Komanda Evropiane e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USEUCOM), do të përfshijë forcat e NATO-s dhe shtetet partnere.

Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, Vengu theksoi se stërvitjet do të zhvillohen në Shqipëri dhe Kosovë dhe do të përfshijnë operacione sulmuese dhe mbrojtëse, mbrojtjen e objekteve kritike dhe sigurinë në pika kyçe dislokimi.

Ai gjithashtu theksoi se kjo është një mundësi e shkëlqyer për të testuar ndërveprueshmërinë e forcave dhe për të dërguar një mesazh të qartë: NATO është e bashkuar.

“Më 25 maj, Shqipëria mirëpret një nga stërvitjet më të mëdha ushtarake shumëkombëshe: Defender Europe 25, e drejtuar nga Komanda Evropiane e SHBA (USEUCOM). Forcat e NATO-s dhe partnere do të stërviten në Shqipëri dhe Kosovë për mbrojtjen e objekteve kritike, operacione sulmuese dhe mbrojtëse, si dhe për sigurinë në pika kyçe dislokimi. Një test i ndërveprueshmërisë dhe një mesazh i qartë: NATO është e bashkuar”, ka shkruar Vengu.

Për stërvitjen në Kosovë pati njoftuar edhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Related Articles