Ka nisur zyrtarisht edhe nga Shqipëria “Defender Europe 25”, një nga stërvitjet më të mëdha dhe më komplekse ushtarake të dekadës së fundit në Evropë dhe Afrikë.
E organizuar nga Komanda Evropiane e Shteteve të Bashkuara (USEUCOM), në bashkëpunim me aleatët e NATO-s dhe partnerët strategjikë, stërvitja do të zgjasë deri më 9 qershor 2025.
Në orët e para të mëngjesit të së martës, trupat shqiptare u nisën nga Zall-Herri drejt Qendrës së Stërvitjes në Bizë, ku do të zhvillohen fazat më intensive të manovrave. Ushtrimet përfshijnë operacione mësymëse, mbrojtëse dhe dislokime strategjike në terrene të vështira.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ndau pamje përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Nga Zall-Herri, ku në orët e para të mëngjesit, trupat e Forcës Tokësore janë nisur drejt Bizës për të filluar zyrtarisht Defender Europe 25 – një nga stërvitjet më të mëdha dhe më komplekse të dekadës së fundit në Evropë dhe Afrikë”, shkroi Vengu.