Dëgjohen dy dëshmitarë në gjykimin ndaj të akuzuarve për falsifikimin e vizave dhe dokumente tjera

Dëgjohen dy dëshmitarë në gjykimin ndaj të akuzuarve për falsifikimin e vizave dhe dokumente tjera

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të hënën janë dëgjuar dy dëshmitarë në gjykimin ndaj Florim dhe Florent Krasniqit, Taulant Bilallit, Sadat dhe Samed Muratit, Haki Malokut, Bekim Hasanit dhe Izet Koplinger, të akuzuar për krim të organizuar lidhur me veprën penale të kontrabandimit me migrantë.

Florim dhe Florent Krasniqi, Taulant Bilalli, Sadat dhe Samed Murati, Haki Maloku, Bekim Hasani dhe Izet Koplinger akuzohen se si grup kriminal kishin falsifikuar dokumente të udhëtimit me qëllim të mundësimit të migrimit të shtetasve të Republikës së Kosovës në vendet si Rumani, Francë, Itali, Mbretëri të Bashkuar, Zvicër, Kroaci, Slloveni, Spanjë, etj.

I akuzuari Koplinger, ngarkohet edhe me veprën penale të armëmbajtjes pa leje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari Benjamin Kutleshi tha se të akuzuarin Haki Maloku e njeh dhe ka një lidhje miqësore me të mirëpo tha se nuk e dinë se me çfarë merret ai.

I pyetur nga prokurorja speciale Habibe Salihu, se a ka pasur ndonjëherë ndonjë kërkesë që të pajiset me ndonjë dokument, dëshmitari Kutleshi tha se ai ka pasur nevojë për një patentë shofer të Serbisë.

Ai tha se nuk kishte kërkuar nga Hakiu që të pajiset me këtë dokument por vetëm ia kishte kërkuar telefonin e tij të cilin tha se e kishte me numër të Serbisë që të kontaktonte me një klient në Novi Pazar në mënyrë që t’ia dërgonte të dhënat e një punëtori të tij Arian Menxhiqit.

“Një myshteri është në Novi Pazar boshnjak, i kam thënë atij me ma rregullu e ai ma ka rregullu gabimisht të Kosovës, emri i tij është Adnan Sakic. Unë nuk e kam shfrytëzuar kurrë në jetë këtë patentë. Mua lejen time personale ma kanë marrë Policia e Kosovës e thash hajt te boj njo të Serbisë dhe ta përdori unë atë patentë për veti në emër të punëtorit”, tha dëshmitari Kutleshi.

I pyetur se çfarë të dhënash i kishte dërguar, ai tha se kishte dërguar fotografinë dhe të dhënat e Arian Menxhiqit në mënyrë që të voziste lirshëm në Serbi pasi që për arsye të biznesit udhëton çdo të dytën ditë për Serbi, Budapest, Itali e Poloni.

Sipas tij, marrëveshja për pagesën e këtij dokumenti ka qenë 500 euro por pasi që patentë shoferi ishte bërë gabimisht me shtetësi të Kosovës dhe jo të Serbisë nuk kishte bërë kurrfarë pagese.

Tutje, duke u përgjigjur në pyetjen e prokurores speciale Salihu se a kishte qenë në dijeni punëtori i tij se ia kishte shfrytëzuar të dhënat, dëshmitari Kutleshi tha “jo ai nuk kishte qenë në dijeni”.

Related Articles