Dejan Pantiq lirohet nga arresti shtëpiak, paguan masën e dorëzanisë rreth 30 mijë euro

Ish polici Dejan Pantiq, i dyshuar për sulm me mjete shpërthyese në zyrat e KQZ – së, është liruar nga arresti shtëpiak pas deponimit të dorëzanisë në shumën prej 30 mijë euro.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.

Ajo tha se Prokuroria Speciale nuk ka parashtruar kërkesë për vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak.

Ndërkaq, mbrojtja e të dyshuarit Panitq me avokatin Ljubomir Pantiq më 4 shtator kanë parashtruar kërkesën për zëvendësimin e arrestit shtëpiak me masën e dorëzanisë. Me këtë propozim ishte pajtuar Prokuroria Speciale e cila përmes një parashtrese ka shprehur pëlqim për këtë zëvendësim të masës.

Pantiq, pas arrestimit fillimisht ka qëndruar në paraburgim nga 12 dhjetori i vitit 2022, ndërsa më 28 dhjetor të po atij viti kjo masë i ishte zëvendësuar me arrestin shtëpiak.

Pantiq ishte arrestuar nga Policia e Kosovës më datën 10 dhjetor të vitit 2022 për sulm në zyrat e KQZ-së në Mitrovicë.

Related Articles