Emisari amerikan, Gabriel Escobar, gjatë ditës së djeshme ka deklaruar se kanë probleme në komunikim me kryeministrin Kurti.
Sipas tij jo vetëm SHBA, por edhe NATO-ja e BE-ja e duke përmendur këtu edhe Shqipërinë.
Në lidhje me këtë çështje ka reaguar nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku.
Ajo ka cituar deklaratën e Escobarit dhe ka shtruar një pyetje.
“Pyetja është me kë po koordinohet Kryeministri, nëse jo me SHBA-të, BE-në, NATO-n, Shqipërinë? Ky është alarmi i fundit për ne”, ka shkruar Çitaku.
Escobar e ka pranuar se ekziston një çarje në komunikimet diplomatike mes SHBA-së dhe Kosovës.
“Por do të thosha se së fundmi kemi problem me komunikim me kryeministrin Kurti. Nuk është vetëm SHBA-ja. Nuk është problem që e ka vetëm SHBA-ja, është problem që e ka Kosova në komunikimet me BE-në, NATO-n, Mbretërinë e Bashkuar, SHBA-në, dhe me shumë shtete të tjera, përfshirë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Dikur kemi pasur partneritet më të mirë dhe ne duam që të kemi partneritet të tillë”, tha Esobar, në një diskutim online me gazetarë, nga Brukseli.
Ai ka thënë se komunikimi me Kosovën ka qenë shumë i mirë në të kaluarën dhe shpreson që e njëjta situatë do të jetë edhe në të ardhmen.
Escobar, e ka quajtur “katastrofik” dhe “jokompetent” vendimin e autoriteteve të Kosovës për të zbatuar rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) që e përcakton euron si valutën e vetme për kryerje të pagesave me para të gatshme.