Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla ka reaguar pas raportimeve se dy raketa ruse kanë rënë në territorin e Polonisë, duke lënë të vrarë dy persona.
Ajo i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të jetë më e vendosur për ta ndalur presidentin rus, Vladimir Putin përpara se ta sjell luftën në tërë kontinentin.
Për një deklaratë të tillë është kundërpërgjigjur edhe deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu.
“Kjo Donika pat lanë nam duke përhapur urrejtje përmes fcb të saj kundër ish qeverive tona dhe ish ushtarëve të UÇK-së. Si duket, nga nostalgjia për ato kohëra sepse nuk mundet e shkreta të del nga lëkura e vet, po harron që tani është Ministre e Jashtme”, shkroi ajo.
Sipas saj, Gërvalla i ka punët ‘llugë’ në Kosovë “e i tregon Evropës çfarë të bëjë me Rusinë”.
“S‘di njeri a është debile, arrogante apo thjeshtë një injorante agresive. Me qeveritarë të tillë Kosova është në rrezik”, tha Musliu.