Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të akuzuarit Lorik Drenica, Zenel Amrllahu, Fatlum Shamolli dhe Argjend Ademi, janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzën se gjatë vitit 2022 në disa pika të pompave të derivateve të naftës, kanë grabitur shuma të parave.
Deklarimin rreth fajësisë katër të akuzuarit e bënë në seancën fillestare, të enjten, pasi që aktakuza u konsiderua e lexuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në këtë rast, sipas Prokurorisë akuzohen Valmir Shala, Lorik Drenica, Zenel Amrllahu, Fatlum Shamolli, Bleron Mejzinolli, Endrit Shala dhe Argjend Ademi, të cilët thuhet se në bashkëkryerje e në vazhdimësi, të maskuar e të armatosur, me qëllim të përftimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme nga pompat e derivateve të naftës, kanë grabitur shuma të ndryshme të parave.
Paraprakisht në këtë seancë, gjykata pas marrjes së mendimit nga prokurori Ilaz Beqiri, mbrojtësit e të akuzuarve Drenica, Amrllahu, Shamolli, Ademi dhe Mejzinolli, si dhe vetë të akuzuarve, gjykata me qëllim të efikasitetit të procedurës, ka bërë veçimin e procedurës për të akuzuarit Valmir dhe Endrit Shala, të cilët sipas gjykatës gjenden në arrati dhe ndaj tyre më 10 gusht 2023 është lëshuar urdhërarrest.
Ndërsa, i akuzuari Bleron Mejzinolli, ka pranuar fajësinë për grabitje në tentativë.
“E pranoj veprën penale dhe shprehi pendim, dhe i premtoj gjykatës që nuk do të kryej më vepra penale”, tha i akuzuari Mejzinolli.
E po ashtu fajësinë e ka pranuar edhe i akuzuari Drenica për posedim të narkotikëve.
“Deklarohem i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës, ndërsa për veprën penale posedim i narkotikeve e pranoj fajësinë”, tha i akuzuari Drenica.
Lidhur me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarve Mejzinolli dhe Drenica, prokurori Beqiri deklaroi se pajtohet me pranimin e fajësisë nga ana e tyre, duke vlerësuar se të njëjtit janë konsultuar mjaftueshëm me mbrojtësit e tyre si dhe ky pranim është në përputhshmëri të plotë me provat të cilat gjenden në shkresat e lëndës.
Prokurori Ilazi, për të akuzuarin Mejzinolli propozoi që të njëjtit t’i ndërpritet edhe masa e arrestit shtëpiak, pasi që sipas tij kanë pushuar shkaqet për të cilat është caktuar dhe vazhduar kjo masë.
Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit Mejzinolli, e ka mbështetur në tërësi edhe mbrojtësi i tij, avokati Veton Rrecaj duke theksuar se një pranim i tillë është bërë në përputhje të plotë me dispozitat ligjore.
Rrecaj po ashtu ka thënë se i mbrojturi i tij, qysh nga fillimi i procedurës ka pranuar veprimet inkriminuese të mbetura në tentativë.
Ai kërkoi nga gjykata që me rastin e matjes dhe shqiptimit të dënimit për të mbrojturin e tij të merren parasysh rrethanat lehtësuese, siç janë pendimi i thellë, premtimi që nuk do të kryejë më vepër penale, moshën e re në kohën e kryerjen së veprës penale, bashkëpunimin e tij me organet e drejtësisë dhe të njëjtit t’i shqiptohet një dënim nën kufirin e paraparë ligjor.
Ndërsa, mbrojtësja e të akuzuarit Drenica, avokatja Kosovare Kelmendi, lidhur me pranimin e fajësisë për posedim të narkotikëve nga i mbrojturi i saj, tha se në kohën kur është kryer vepra në fjalë Drenica ka qenë konsumues i substancave, duke i propozuar gjykatës që të ketë parasysh lartësinë e dënimit lidhur me këtë vepër.
Kelmendi po ashtu i ka propozuar gjykatës, që ndaj të mbrojturit të saj, të ndërpritet masa e arrestit shtëpiak dhe e njëjta të zëvendësohet me masën e paraqitjes në stacion policor.
Lidhur me këto propozime, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Fatime Dërmaku aprovoi pranimin e fajësisë për të akuzuarit Mejzinolli dhe Drenica, si dhe propozimin e prokurorit Beqiri, për ndërprerjeje e masës së arrestit shtëpiak për të akuzuarin Mejzinolli, për të cilin edhe u veçua procedura penale.
Ndërsa, ka refuzuar propozimin e avokates Kelmendi, për zëvendësimin e masës së arrestit shtëpiak me atë të paraqitjes në stacion policor për të akuzuarin Drenica.
Ndërkaq, meqenëse të akuzuarit Drenica, Amrllahu, Shamolli dhe Ademi u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen në barrë, gjykata i ka njoftuar ata se brenda afatit ligjor prej 30 ditësh mund të paraqesin kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.
Kurse, shpallja e aktgjykimi për të akuzuarin Mejzinolli do të bëhet më 21 gusht 2023.
Ndryshe, lidhur me këtë çështje penale, më 4 qershor 2023, gjyqtari i procedurës paraprake ka marrë aktvendim ndaj të pandehurve Valmir Shala, Lorik Drenica, Zenel Amerllahu, Fatlum Shamolli, Bleron Mejzinolli dhe Endrit Shala, me të cilin masën e paraburgimit ua ka zëvendësuar me atë të arrestit shtëpiak.
Mirëpo, Prokuroria Themelore në Prishtinë, brenda afatit të paraparë ligjor ka parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit ndaj vendimit të lartcekur, të cilën ankesë Gjykata e Apelit e ka aprovuar dhe me aktvendimin e 9 qershorit 2023 ndaj të pandehurve të lartcekur ka caktuar masën e paraburgimit, e cila masë do të vazhdonte deri më 4 gusht 2023.
Tutje, mbrojtësit e të akuzuarve, kundër aktvendimit të Gjykatës së Apelit, kanë ushtruar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë, të cilën kërkesë Gjykata Supreme e ka aprovuar dhe me aktvendimin e 22 qershorit 2023, të pandehurve ua ka zëvendësuar masën e paraburgimit me masën e arrestit shtëpiak.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 28 korrik 2023 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, të pandehurit Valmir Shala, Lorik Drenica, Zenel Amrllahu, Fatlum Shamolli, Bleron Mejzinolli, Endrit Shala dhe Argjend Selimi po akuzohen se në bazë të marrëveshjes paraprake, në vazhdimësi të maskuar e të armatosur me qëllim të përftimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme nga pompat e derivateve të naftës kanë grabitur shuma të parave.
Sipas pikës 1 të kësaj akuze, të pandehurit Valmir Shala, Lorik Drenica dhe Zenel Amrllahu, po akuzohen se më 22 gusht 2022, në pompën e derivateve të naftës “Exfis”, në Komoran, i pandehuri Lorik Drenica me armën AK-47 të cilën e kishte marrë nga i pandehuri Endrit Shala, me të pandehurin Zenel Amrllahu janë futur në zyrën e pompës dhe nën kërcënimin e armës kanë arritur që nga i dëmtuari Shqipërim Ademi të grabisin shumën e parave prej 10 mijë euro.
Të njëjtit, po ashtu thuhet se edhe nga xhepi i të pandehurit Valmir Shala kanë marrë edhe shumën prej 800 euro dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes, pasi që paraprakisht ishin dakorduar të pandehurit mes vete, sepse i pandehuri Valmir Shala që punonte në atë pompë, u tregon për vendin se ku gjenden paratë dhe koordinohen në mes vete për kryerjen e grabitjes, me ç’rast nga ajo shumë e parave Lorik Drenica e Zenel Amrllahu i kanë marrë 3 mijë e 250 euro, ndërsa Valmir Shala ka marrë 1 mijë e 500 euro, kështu duke i shkaktuar dëm të madh material të dëmtuarit-kompanisë “Ex-fis”.
Ndërsa, sipas pikës 2 të kësaj aktakuze, të pandehurit Lorik Drenica dhe Zenel Amrllahu, më 12 gusht 2022, të maskuar janë futur në pompën e derivateve të naftës “Ibrahimi Petroll”, pronë e të dëmtuarit Bekim Hoxha, dhe derisa njëri nga të pandehurit mbante revolen në dorë dhe ia drejton të dëmtuarit Armend Fazliu duke iu drejtuar me fjalët “mi jep parët”, ku ky i fundit është përgjigjur se nuk ka para, por pasi që njëri nga të pandehurit ka repetit armën dhe ka bërtitur më zë të lartë, e i gjendur në atë situatë i dëmtuari Fazliu i jep shumën prej 400 euro, e pastaj me shpejtësi janë larguar nga vendi i ngjarjes, duke i shkaktuar dëm të madh material të dëmtuarit.
Tutje, pika 3 e kësaj akuze i ngarkon të pandehurit Valmir Shala dhe Lorik Drenica se më 25 korrik 2022, në pompën e derivateve të naftës “Ex-fis” në Komoran, të pandehurit me të miturin Zenel Amrllahu janë futur në zyrën e asaj pompe, e derisa i pandehuri Lorik mbante në dorë armën AK-47, i drejtohet tani të dëmtuarit-punëtor i asaj pompe, Fitim Thaqi me fjalët “paret”, dhe i gjendur në atë situatë i dëmtuari i jep paratë e pazarit ditor në shumë rreth 13 mijë euro, ndërsa i pandehuri Valmir e hap fokën e tavolinës së punës por aty nuk gjen asgjë. Të njëjtit thuhet se me shpejti janë larguar nga vendi i ngjarjes dhe me ç’rast kompanisë “Ex-fis”, i kanë shkaktuar dëm të madh material.
Pika 4 e kësaj aktakuze thotë se të pandehurit Valmir Shala, Lorik Drenica, Fatlum Shamolli, Bleron Mejzinolli e Endrit Shala, më 1 shtator 2022 kanë tentuar të grabisin pompën e derivateve të naftës “Ex-fis” në Komoran, në atë mënyrë që të njëjtit të maskuar e të armatosur me armë të gjata, ku armën e tipit AK-47 pronë e Valmirit e mbante i pandehuri Lorik, ndërsa armën e tipit AK e mbante Fatlum Shamolli, të njëjtit arave ofrohen deri afër pompës, mirëpo aty shohin patrullën e policisë dhe më pastaj me shpejtësi largohen në drejtim të panjohur, por gjatë ikjes aktakuza thotë se i pandehuri Lorik e hedh armën ndërsa ditën e nesërme së bashku me Valmirin shkojnë dhe e marrin armën AK-47 në vendin ku e kishin hudhur.
E më datë 5 shtator 2022, sipas pikës 5 të aktakuzës, thuhet se të pandehurit Endrit Shala, Fatlum Shamolli dhe Argjend Ademi në pompën e derivateve të naftës “Menar Petroll”, pronë e të dëmtuarit Armend Kastrati, në Lipjan, të pandehurit të armatosur me armë të gjatë AK-47 kanë shkuar tek pompa ku i pandehuri Fatlum ka bërë roje, ndërsa Endriti dhe Argjendi futen në lokal.
Aty thuhet se i pandehuri Endrit ka shtënë njëherë me armë AK-47 në drejtim të tani dëmtuarit Rinor Bajraktari, ndërsa i pandehuri Argjend kërkon nga ai paratë dhe arrijnë të marrin shumë prej 630 euro dhe me shpejtësi largohen nga vendi i ngjarjes. Por pastaj, këto para ata i ndajnë mes vete nga 210 euro, dhe me këtë të njëjtit i kanë shkaktuar të dëmtuarit dëm material.
Me këto veprime, të pandehurit Valmir Shala, Lorik Drenica, Zenel Amrllahu, Endrit Shala, Fatlum Shamolli po akuzohen se në bashkëkryerje e në vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Grabitja” nga neni 317, paragrafi 3 lidhur me nenin 31 dhe 77 të KPRK-së.
Ndërsa, i pandehuri Bleron Mejzinolli akuzohet se ka kryer veprën penale “Grabitja” në tentativë nga neni 317, paragrafi 3 lidhur me nenin 31 dhe 28 të KPRK-së.
Kurse i pandehuri Argjend Ademi, akuzohet se ka kryer veprën penale “Grabitja” nga neni 317 paragrafi 3 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Tutje, sipas aktakuzës në pikën 6 të saj, të pandehurit Valmir Shala, Lorik Drenica, Endrit Shala dhe Fatlum Shamolli, po akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje.
Aktakuza thotë se të pandehurit e lartcekur pa autorizim kanë poseduar armën e tipit AK-47, pronë e të pandehurit Endrit Shala si dhe armën automatike AK pronë e të pandehurit Fatlum Shamolli, e të cilat armë i kanë përdorur për kryerjen e veprës penale si në dispozitiv të kësaj aktakuze.
Ndërkaq, më 5 nëntor 2022 arma e tipit AK me dy karikator dhe 42 fishekë është gjetur dhe sekuestruar nga i pandehuri Fatlum Shamolli kurse më 9 nëntor 2022 arma e tipit AK-47 së bashku me një karikator është sekuestruar nga i pandehuri Endrit Shala, të cilën e kishte fshehur në pyll.
Me këtë, ata po akuzohen se bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Me këtë aktakuzë, i pandehuri Lorik Drenica, sipas pikës 7 të saj akuzohet edhe për posedim të paautorizuar të narkotikëve, ku sipas akuzës thuhet se më 5 nëntor 2022 gjatë bastisjes nga ana e policisë në shtëpinë e tij, i është gjetur dhe sekuestruar substanca narkotike, e cila pas ekzaminimit ka rezultuar të jetë kanabis (marihuanë) me peshë rreth 30 gramë.
Me këtë, Drenica akuzohet se ka kryer veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve substancave psikotrope ose analoge”, nga neni 269, paragrafi 1 i KPRK-së. /BetimipërDrejtësi