Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi ka njoftuar sot se ka arritur ekspertiza shtesë në rastin e Astrit Dehari.
Ai tha se kjo ekspertizë ka arritur në Kosovë javën e kaluar dhe se tash e njëjta është në përkthim.
“Ne se kemi parë por jemi të informuar se ekspertiza ka mbërritur javën e kaluar dhe se është në përkthim”, tha ai.
Më tutje, Gashi tha se pret që kjo ekspertizë të tregojë të vërtetën rreth rastit Dehari.
“Jemi të bindur që kjo ekspertizë shtesë do ta konfirmojë ekspertizën e mëhershme të shtatorit të vitit 2019, ku është eliminuar teoria e vetëvrasjes dhe është gjetur ADN-ja e personave të tjerë”, deklaroi ai.
Avokati Gashi tha se tani është në duart e prokurorëve që ta ndriçojnë këtë rast, që sipas tij për pesë vite ka mbetur në sirtarët e prokurorisë.
“Tani mbetet që z.Aleksandër Lumezi që edhe për pak kohë është kryeprokurori i shtetit, ai apo pasuesi i tij që mund të jetë Blerim Isufaj, që këta me punën që e kryejnë të ndihmojnë në nxjerrën e aktvendimit për zhvillim të hetimeve dhe që rasti i vrasjes së Astrit Deharit të mos mbetet për pesë vite e gjysmë në sirtar të prokurorive”, tha ai në T7.