Deklarohet i pafajshëm ortopedi i cili akuzuohet për marrje ryshfeti dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare

Deklarohet i pafajshëm ortopedi i cili akuzuohet për marrje ryshfeti dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të hënën është deklaruar i pafajshëm Sabit Sllamniku, mjeku ortoped i cili në cilësinë e personit zyrtar po akuzohet se në dy raste kishte kërkuar nga 100 euro për secilin nga anëtarët e komisionit, përkatësisht shumën prej 300 euro, në emër të vlerësimit të shkallës së invaliditetit.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori i shtetit Bashkim Zeqaj, i akuzuari Sllamniku u deklarua i pafajshëm për veprën penale që i vihet në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Absolutisht i pafajshëm”, tha Sllamniku.

Gjykatësja Alltene Murseli, pas deklarimit të të akuzuarit rreth fajësisë, e ka njoftuar atë dhe mbrojtësit e tij, për të drejtën e tyre që të paraqesin kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Shqyrtimi i dytë lidhur me këtë çështje u caktua të mbahet më 20 shkurt 2023.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 1 nëntor 2022, ka ngritur aktakuzës ndaj të pandehurit Sabit Sllamniku i cili në cilësinë e personit zyrtar, mjek ortoped, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës – Klinikën e Ortopedisë, Kryetar i Komisionit për vlerësimin e shkallës së invaliditetit, duke vepruar në pajtim me detyrën e tij zyrtare, e me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë për vete, në kundërshtim me Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për çështje Administrative, A.nr.2532/18 i 11 marsit 2021, nga i dëmtuari Ekrem Saçi, në emër të vlerësimit të shkallës së invaliditetit të tij, ka kërkuar nga 100 euro për secilin nga anëtarët e komisionit, përkatësisht shumën prej 300 euro.

Sipas aktit akuzues, më 13 korrik 2021 në ora 08:30 gjatë zbatimit të masës së fshehtë teknike të vëzhgimit dhe hetimit, në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, i pandehuri ka pranuar shumën prej 100 euro nga i dëmtuari.

Me këtë Sllamniku po akuzohet se ka kryer veprën penale marrja e ryshfetit nga neni 421 par 1. të KPRK-së.

Tutje, sipas diapozitivit të dytë, Sllamniku po akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, mjek ortoped, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës – Klinikën e Ortopedisë, Kryetar i Komisionit për vlerësimin e shkallës së invaliditetit në kundërshtim me Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për çështje Administrative, A.nr.1910/18 i 17 marsit 2021, me qëllim që të përfitoj për vete dhe për anëtarët e tjerë të komisionit Ilir Miftari dhe Gentian Morina, me 11 qershor 2021 nga e dëmtuara Fazile Krasniqi, në emër të vlerësimit të invaliditetit të saj në cilësi të kryetarit të komisionit ka kërkuar që përmes bankës të paguhen nga 100 euro për secilin nga anëtarët e komisionit, përkatësisht shumën prej 300 euro, ashtu që djalit të dëmtuarës Festim Krasniqi në të njëjtën datë, në llogaritë bankare të të pandehurit, dhe anëtarëve të tjerë të komisionit ka deponuar shumat nga 100 euro, me ç’rast tani të dëmtuarës Fazile Kransiqi, përkatësisht Festim Krasniqit i kanë shkaktuar dëm material në shumën prej 300 euro.

Me këtë ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga nenin 414 par.1 të KPRK-së.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Related Articles