Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se mësimdhënësit do të kompensohen në formë të avansit.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se propozimi i saj ndaj Qeverisë së Kosovës, është që mësimdhënësit të paguhen në formë të avansit dhe në të njëjtën kohë orët e humbura të kompensohen.
“Është pozicion i qeverisë, që e kemi thënë gjithmonë ligji e përcakton saktë, pagesa bëhet për punën e bërë. Për mësimdhënësit kemi mendu kemi propozu MF-së që të shqyrtohet mundësia që mësimi i humbur për nxënësit të realizohet kalendari i plotë mësimor. Janë 22 ditë të humbura për fëmijët”, ka thënë ajo.
Nagavci, ka theksuar se e kanë përpiluar një kalendar të ri, me qëllim që të kompensohen orët e humbura si pasojë e grevës.
“Kemi planifikuar një kalendar të ri duke shikuar mundësinë e kompenzimit të orëve të humbura në ditët e pushimit pranveror, dhe shkurtimin e pushimit dimëror. Kanë mbetur për klasët një dhe tetë të shikohet mundësia të zëvendësohen me të shtuna”, ka thënë ajo.
Ky propozim sipas saj vjen për shkak të gjendjes së vështirë socio-ekonomike.