Deklarohet Prokuroria Speciale për kërcënimet me jetë ndaj presidentes Osmani

Deklarohet Prokuroria Speciale për kërcënimet me jetë ndaj presidentes Osmani

Prokuroria Speciale e ka autorizuar njësinë përkatëse të Policisë së Kosovës që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për identifikimin e personave që e kanë kërcënuar me jetë presidenten Vjosa Osmani.

Kështu thuhet në një përgjigje të PRSK’së.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka pranuar informacion nga Policia e Kosovës lidhur me rastin konkret. Në kuadër të kësaj ka autorizuar Njësinë përkatëse të policisë që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme lidhur me identifikimin dhe zbulimin e kryerësve të mundshëm të veprës penale”, thuhej në një përgjigje për Gazetën Express.

Lidhur me këtë çështje, dje Policia e Kosovës ka thënë se tashmë është iniciuar rast penal.

“Policia e Kosovës ditë më parë ka pranuar informacionin që ju i referoheni, sipas procedurave është njoftuar Prokurori i shtetit dhe është inicuar rast penal”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Të hënën është bërë e ditur se në emailin zyrtar të Presidencës, një llogari e quajtur “Rrap Tap” e ka kërcënuar me jetë presidenten Osmani.

Bekim Kupina, këshilltar i Osmanit, ka konfirmuar se e-maili është dërguar në adresën zyrtare të institucionit.

“Kërcënimi është dërgu në emailin zyrtar të Presidencës”, tha Kupina, duke shtuar se rasti është raportuar në Policinë e Kosovës.

Ndërkaq, Zotëriu i Parë i Kosovës, Prindon Sadriu ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social Facebook, duke thënë se kërcënimet nuk janë të rastësishme dhe të izoluara, por të vazhdueshme, të qarta dhe specifike.

Sadriu ka shtuar se përveç kërcënimeve, janë shfaqur edhe shpifje të fabrikuara, të cilat kanë për qëllim të nxisin urrejtje dhe të krijojnë një klimë ku dhuna perceptohet si e justifikuar.

Ai ka kritikuar edhe institucionet kompetente se s’është marrë asnjë veprim dhe asnjë përgjegjësi.

“Sepse askush nga kërcënuesit nuk është përballur me drejtësinë. Asnjë veprim. Asnjë përgjegjësi. Dhe kur institucionet përkatëse heshtin, dhuna natyrshëm që flet. Kur institucionet përgjegjëse nuk mbrojnë, kërcënuesit ndihen të sigurt. Sot është Presidentja. Nesër dikush tjetër? Rreziku është i qartë. Heshtja është bashkëfajësi. Koha për veprim ka kaluar qëmoti”, ka shkruar Sadriu

Related Articles