Mattel ka njoftuar se ka lëshuar në treg kukullën e saj të parë Barbie me sindromën Down, si pjesë e linjës së saj të larmishme Fashionistas.
Kukulla është “krijuar për të lejuar edhe më shumë fëmijë të shohin veten në Barbie, si dhe që Barbie të pasqyrojë botën përreth tyre”, tha prodhuesi i njohur i lodrave në një deklaratë për shtyp.
“Kukulla Barbie me sindromën Down ka për qëllim të frymëzojë të gjithë fëmijët që të tregojnë më shumë histori përmes lojës”.
Prodhuesit e Barbie krijuan kukullën në partneritet të ngushtë me Shoqërinë Kombëtare të Sindromës Down (NDSS) në ShBA.
Modelja britanike, Ellie Goldstein, e cila ka sindromën Down, u shfaq në një fushatë me Barbien e re.
“Jam shumë e lumtur që ka një Barbie me sindromën Down”, tha Goldstein. “Duke parë kukullën, u ndjeva shumë e tronditur – do të thoshte shumë për mua dhe jam aq e nderuar dhe krenare që Barbie më zgjodhi mua për t’ia treguar kukullën botës. Diversiteti është i rëndësishëm për mua pasi njerëzit duhet të shohin më shumë njerëz si unë atje në botë dhe të mos fshihen”.
Goldstein, 21 vjeç, bëri histori si modelja e parë me sindromën Down që u shfaq në fushata të mëdha ndërkombëtare për marka të tilla si Gucci Beauty dhe Nike.
“Modeli i fustanit të kukullës me mëngë të fryra përmban flutura dhe ngjyra të verdha dhe blu, të cilat janë simbole dhe ngjyra të lidhura me ndërgjegjësimin për sindromën Down”, tha Mattel.
Sa i përket formës së Barbie, Mattel deklaroi: “Kjo kukull prezanton një skulpturë të re të fytyrës dhe trupit për të qenë më ilustruese e grave me sindromën Down, duke përfshirë një kornizë më të shkurtër dhe një bust më të gjatë. Modeli i ri i fytyrës përmban një formë më të rrumbullakët, veshë më të vegjël dhe një urë hundore e sheshtë, ndërsa sytë janë pak të pjerrët në formë bajameje. Pëllëmbët e kukullës përfshijnë një vijë të vetme, karakteristikë e lidhur shpesh me ata me sindromën Down”, shkruan Reuters.
Kukulla gjithashtu mban mbështetëse rozë të këmbëve që përputhen me veshjen e saj – që zakonisht përdoret nga fëmijët me sindromën Down në ShBA.
“Kjo do të thotë shumë për komunitetin tonë, i cili për herë të parë, mund të luajë me një kukull Barbie që duket si ata”, tha Kandi Pickard, president dhe CEO i NDSS.
“Kjo Barbi shërben si një kujtesë se nuk duhet të nënvlerësojmë kurrë fuqinë e përfaqësimit. Është një hap i madh përpara për përfshirje dhe një moment që ne po festojmë”.
Rreth një në çdo 772 foshnja në ShBA lind me sindromën Down, sipas NDSS, që përfaqëson rreth 5,100 foshnja çdo vit.