Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka mbajtur seancën dëgjimore, ku ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Tomë Dodajt, i dyshuari i katërt që u arrestua lidhur me rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.
Dodaj, për të cilin Sinjali raportoi ekskluzivisht të shtunën, dyshohet se ka furnizuar me armën e krimit dy të dyshuarit tjerë, Naim Murselin dhe Granit Plavën – që tashmë ndodhen në paraburgim.
Edhe ndaj tij u caktua masa e paraburgimit, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimit, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.
“Gjyqtarja e Procedurës Paraprake vlerësoi se ekzistojnë bazat dhe arsyet për caktimin e masës së paraburgimit, ngase ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri T.D ka kryer veprën penale, andaj nëse i njëjti gjendet në liri, mund të ndikoj në të dëmtuar dhe në dëshmitarë, si dhe ekziston edhe rreziku i përsëritjes së veprës penale, e të gjitha së bashku kanë plotësuar bazën ligjore për caktimin e masës së paraburgimit.
Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri T.D me datë 29.11.2023 rreth orës 14:00 në vendin e tij të punës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në kundërshtim me Ligjin në fuqi për armë apo materie plasëse, ia ka shitur armën të dyshuarve N.M dhe G.P, për të cilën dyshohet se është përdorur në kryerjen e veprës penale Vrasje e Rëndë e të dëmtuarës- tani të ndjerës L.M.” – thuhet në njoftimin e gjykatës.
Dodaj u arrestua të shtunën, pas një aksioni të Policisë në fshatin e tij, Novosellë në Gjakovë.
Ndryshe, bashkëshorti i të ndjerës, Naim Murseli ngarkohet me veprën penale ‘Vrasje e rëndë në bashkëkryerje’.
Granit Plava ngarkohet me veprat penale ‘Vrasje e rëndë’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.
Kushtrim Kokalla ngarkohet me veprën penale ‘Marrëveshje për të kryer veprën penale ‘Vrasje e rëndë’’.
Trupi i të ndjerës, Liridona Ademaj, u zhvarros javën e kaluar nga varrezat e fshatit Cërmjan, për t’u përcjellë në banesën e fundit në fshatin e saj të lindjes, në Rracaj të Gjakovës.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.