Delegacioni i Policisë së Kosovës ka marrë pjesë në konferencën e udhëheqësve të lartë policorë që u mbajtë në Bogota të Kolumbisë.
Në këtë konferencë përveç Kosovës morën pjesë edhe përfaqësues të lartë policorë të shteteve të Amerikës Latine, Afrikës dhe Azisë.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha dhe delegacioni i tij në këtë vizitë historike është pritur me nderime shtetërore nga Policia Nacionale e Kolumbisë.
Drejtori Hoxha gjatë pjesëmarrjes së tij në këtë konferencë, ka mbajtur një fjalim para pjesëmarrësve, duke shpalosur të arriturat e Policisë së Kosovës në fushën e rendit dhe ligjit, me theks të veçantë në respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut.
Gjatë kësaj vizite stafi menaxherial i PK-së, së bashku me ambasadorin e Republikës së Kosovës në Kolumbi, janë pritur në një takim të veçantë pune nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë Nacionale të Kolumbisë, gjeneral brigade Carlos Fernando Triana me bashkëpunëtorët e tij.
Në takim u diskutua për mundësitë e formalizimit të iniciativave të reja dhe mundësive të bashkëpunimit në fushat e ndryshme të policimit, luftës ndaj krimit të organizuar, narkotikëve dhe të sigurisë së përgjithshme në mes të Policisë së Kosovës si dhe Policisë së Kolumbisë.
Ndër të tjera, drejtori Hoxha ka mbajtur një fjalim rasti para nivelit strategjik të gjeneralëve dhe komandantëve të Policisë Nacionale të Kolumbisë, duke i njoftuar për punën dhe angazhimin e Policisë së Kosovës, si dhe i ka bërë një ftesë zyrtare drejtorit të Policisë Nacionale të Kolumbisë për vizitë në Kosovë, i cili e ka pritur me kënaqësi.
Pas vizitës në akademi drejtori Hoxha ka vizituar radion e Policisë Nacionale të Kolumbisë, ku edhe ka dhënë një intervistë në lidhje me të arriturat e punës së Policisë së Kosovës, në fushën e zbatimit të ligjit dhe ka dhënë mesazhe motivuese për punën e policëve të Policisë së Kolumbisë.