Deliu-Kodra: Përpjekje për devijimin e rendit kushtetues

Deliu-Kodra: Përpjekje për devijimin e rendit kushtetues

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka reaguar në mbledhjen e Komisionit lidhur me shqyrtimin e amendamenteve kushtetuese të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit të vendit.

Gjatë diskutimit, Deliu e ka cilësuar të pazakontë kohën kur po trajtohen këto ndryshime, duke theksuar se vendi ndodhet në përmbyllje të afatit kushtetues.

Ajo ka vlerësuar se problemi kryesor lidhet me mungesën e marrëveshjeve politike dhe të konsensusit për krijimin e institucioneve të reja.

“Është shumë e çuditshme pse në këtë kohë. Në kohën kur jemi në përmbyllje të afatit Kushtetues. Kushtetuta nuk besoj që mund të ndryshohet për t’i zgjedhur interesat personale të askujt, Kosova nuk ka krizë kushtetuese, Kosova ka krizë për të siguruar marrëveshje politike, konsensus, prandaj për herë të parë po dështon zgjedhja e Presidentit, për shkak të mungesës së shumicës për t’i hapur rrugë krijimit të institucioneve të reja, në këtë rast zgjedhjes së Presidentit ose Presidentes”, tha ajo.

Deputetja shtoi se shumica parlamentare po përpiqet të ndryshojë rendin kushtetues përmes këtyre amendamenteve.

“Unë e di që votat i keni dhe mund ta kaloni, por po e them është përpjekje për ta devijuar rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, përpjekje që e kemi parë tash e sa kohë dhe është për keqardhje që ky shtet po përballet me situata të përsëritura prej një shumice që sot nuk e ka përgjegjësinë që ia ka dhënë qytetari për t’i hapur rrugë krijimit të institucionit të reja, por thirret në ndryshimet Kushtetuese, të cilat ky vend i ka pasur para 14 vjetësh”, u shpreh Deliu-Kodra.

Related Articles