Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, i është përgjigjur kryetarit të Pejës nga LDK, Gazmend Muhaxheri, i cili e akuzoi atë se “ka përbirë” bretkosën e Demarkacionit, dhe se kjo çështje ka qenë vetëm temë fiktive e partisë që ai drejton.
Në një postim në Facebook, Haradinaj i është referuar Demarkacionit me Malin e Zi, si një “kopil që ta lënë tek dera”, e që duhet të merresh me të.
“Ai(Gazmend Muhaxheri) e di më mirë se kushdo tjetër se kush na e la kopilin e demarkacionit te dera”, shkroi Haradinaj.
Tutje, ish-kryeministri tha se ai dhe AAK kanë qenë vetëm në këtë temë dhe se sipas tij, Demarkacioni i është futur një procesi të korrigjimit duke siguruar edhe pajtimin e Malit të Zi.
Postimi i plotë i Haradinajt:
Paska folur Gazmend Muhaxheri edhe një herë për demarkacionin duke ma ngarkuar në qafë veç mua. Ani se populli thotë “gjuha prej tuli është”, zoti Muhaxheri duhet ta dijë se kur ta lënë “kopilin te dera”, duhet të merresh me të, e ai e di më mirë se kushdo tjetër se kush na e la kopilin e demarkacionit te dera.
Unë dhe partia ime, duke qenë krejtësisht vetëm në këtë temë, kemi bërë aq sa ka qenë e mundur, duke e rikthyer demarkacionin në procedurë korrigjimi, kjo duke e siguruar edhe pajtimin e Malit të Zi. Mirë do të ishte të flasë për ata që e kanë gatuar edhe asociacionin edhe demarkacionin, e jo ta drejtojë gishtin nga ata që janë mundu ta ndreqin edhe të pandreqshmen!.