Dëme mijëra euro nga zjarri në Turiqec të Skenderajt

Dëme mijëra euro nga zjarri në Turiqec të Skenderajt

Një zjarr i përmasave shqetësuese ka shpërthyer të shtunën pasdite në fshatin Turiqec të Skenderajt, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe duke rrezikuar seriozisht shtëpitë e banorëve të lagjes Hoti.

Rreth orës 14:50, njësitet policore dhe zjarrfikësit janë alarmuar për flakët që kishin përfshirë një djerrinë në afërsi të zonës së banuar. Policia e stacionit të Skenderajt ka konstatuar se zjarri paraqiste rrezik të drejtpërdrejtë për banorët dhe shtëpitë përreth.

Sipas informacioneve zyrtare, dy qytetarë kanë paraqitur ankesa për dëmet e shkaktuara. Shqiprim Rama, njëri nga ankuesit, ka deklaruar se nga zjarri i janë dëmtuar një serë me speca, një pushimore druri, disa metra gypa dhe pajisje për ujitje, me vlerë të vlerësuar rreth 6.000 euro. Ndërkohë, qytetari tjetër, Sami Ramadani, ka raportuar se i është djegur tërësisht stalla me ushqim të bagëtive, me një vlerë prej rreth 3.000 euro.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e hetimeve dhe krim teknikës për të kryer ekzaminimet e nevojshme, ndërsa me urdhër të Prokurorit të Shtetit rasti është iniciuar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe hetimet po vazhdojnë për identifikimin e personit përgjegjës.

Sinjali do të qëndrojë në kontakt me autoritetet për çdo zhvillim të ri lidhur me këtë ngjarje.

Related Articles