Analisti, Arton Demhasaj, thotë se nga takimi i sotëm i mbajtur në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe me ndërmjetësuesit e BE-së, në pozicion të favorshëm ka dalë pala serbe.
Demhasaj, tha se me veprimet e Kurtit, BE mund të marrë masa edhe më të ashpra ndaj Kosovës.
“Fatkeqësisht, presidenti i Serbisë ishte në pozicion më të favorshëm, fakti që vetë lehtësuesi Borrell tha se arritëm me bind presidentin Vuçiq me pranu marrëveshjen që ata e kanë propozu dhe nuk kanë arrit me bind kryeministrin Kurti. Për faktin që ti e ke pranuar Marrëveshjen e Brukselit dhe ke pranuan Aneksin e Ohrit dhe tash nuk po pranon me i zbatu ato dokumente, atëherë ti ke vendos veten në një pozicion të tillë që është pozicion shumë keq i Kosovës, që ndaj Kosovës janë marrë masa nga BE e që pritet të ketë masa ndoshta edhe më të ashpra nga Bashkimi Evropian apo nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkak të pozicionit tepër të keq si asnjëherë më parë që Kosova momentalisht e ka edhe në proces të dialogut, por edhe në partneritet me fuqitë botërore”, tha ai në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Sipas tij, edhe Serbia duhet të ndëshkohet nga BE, përderisa ka qenë shkelëse e Marrëveshjes së Brukselit.
“Nga Bashkimi Evropian nuk arrita me kuptu, kur Borrell tha se edhe Kosova edhe Serbia po e shkelin Marrëveshjen e Brukselit, e atëherë nëse të dyja shtetet po e shkelin marrëveshjen pse masat po merren vetëm ndaj Kosovës. Se vetë fakti që ti hyn në një tryezë të dialogut, ku ti si kryeministër i Kosovës ke masa nga Bashkimi Evropian dhe Serbia nuk ka masa, vetë ky fakt tregon që ti je në disfavor në atë tryezë të dialogut. Prandaj, mendoj që BE duhet të marrë masa edhe ndaj Serbisë për moszbatim të Marrëveshjes së Brukselit, sepse e kemi parë edhe në të kaluarën se sa herë Serbia e ka shkelur atë marrëveshje”, shtoi ai.
Takimi i sotëm i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë përfundoi pa ndonjë pajtim mes palëve. Nga Bashkimi Evropian thanë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka qenë i gatshëm të ecë përpara, ndryshe nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili “e ka pranuar propozimin e tyre” për zbatimin e Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.