Demilitarizimi i UÇK-së, Hysa: Thaçi foli me presidentin Clinton në telefon nga një tendë e improvizuar

Demilitarizimi i UÇK-së, Hysa: Thaçi foli me presidentin Clinton në telefon nga një tendë e improvizuar

Gazetari dhe ish-diplomati, Ylber Hysa, në ciklin e emisioneve Rubikoni i Jetës ka rrëfyer një episod jo shumë të njohur të pasluftës, që lidhet me marrëveshjen për demilitarizimin e UÇK-së dhe komunikimin e Hashim Thaçit me Presidentin e atëhershëm amerikan, Bill Clinton.

Hysa tha se biseda telefonike e Thaçit me të parin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishte zhvilluar në një tendë të improvizuar.

“Në kohën kur është arritur marrëveshje a Kumanovës, kam qenë pjesë e një misioni i cili ka involvuar direkt diplomacinë amerikane dhe britanike dhe shërbimet e tyre të cilët kanë ardhur që ta bëjnë marrëveshjen e njohur me UÇK-në, ajo që praktikisht i hapi rrugë transformimit të mëvonshëm të UÇK-së në armatë, krijimit të një lloj partneriteti. Është shumë interesante mënyra se si ka ndodhur, kjo ishte një marrëveshje e cila e involvoi në një moment daljen nga shatori i zotit Rubin, Hashim Thaçit dhe meje ku praktikisht u bë një mini-negociatë, u tha se zotëri Clinton po e priste në bisedë në telefon Hashim Thaçin nëse ai nënshkruante. Kishte një dallim në kuptimin se si perceptohej në gjuhën shqipe, një formulim legalo-gjuhësor domethënë, dhe kjo ishte shumë interesante”, tha Hysa.

Hysa tha se Thaçi kishte pranuar që të nënshkruante, por me një kusht simbolik, që të nesërmen të bënte një ecje të përbashkët në rrugët e Prishtinës me James Rubin, i cili atëbotë ishte përfaqësues i Departamentit Amerikan të Shtetit.

“Thaçi pranoi me kushtin që të nesërmen Rubin t’i parakalonte rrugët e Prishtinës me zotërinë Thaçi, në një tendë të improvizuar e cila kishte establishmente telefonike dhe aty në prezencën time Thaçi ka folur me Clinton, i ka thënë që e ka bërë këtë gjest në emër të paqes dhe perspektivës për ta ndërtuar një bashkëpunim”, përfundoi Hysa.

Related Articles