Demolli: Procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të bordit të RTK-së është i komprometuar

Demolli: Procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të bordit të RTK-së është i komprometuar

Mexhide Demolli nga Lëvizja FOL ka cilësuar procesin për përzgjedhjen e anëtarëve të bordit të RTK-së si të komprometuar.

Përmes një konference për media, ajo theksoi se Komisioni kishte ndryshuar metodologjinë pa asnjë arsyetim dhe, sipas saj, kishte favorizuar në mënyrë të hapur disa kandidatë, ndërsa një prej tyre ishte përjashtuar.

“Ajo që kemi parë dje dhe pritet ta shohim sot, është krejt e kundërta nga ajo praktikë e mirë që u ndërtua në të kaluarën. Gjatë zhvillimit të ditës së djeshme pa praninë e kamerave, janë përdorur standard të shumëfishta në shqyrtimin e aplikacioneve. Fillimisht është vendosur që kandidatëve që nuk i kanë dorëzuar të gjitha dokumentet të eliminohen, pavarësisht që u është dhënë një mundësi e dytë për plotësimin e dokumentacionit. Më pas, gjatë shqyrtimit, disa kandidatëve të caktuar u konstatua edhe pse nuk e kishin dorëzuar gjithë dokumentacionin qoftë edhe atë bazik, pavarësisht një mundësie të dytë, dhe t’ju mundësohet të kalohet tutje”, deklaroi ajo në një konferencë të jashtëzakonshme.

Demolli përmendi edhe procesin e intervistimit, për të cilin tha se kandidatët nuk do të jenë të barabartë, pasi do të ketë pyetje të ndryshme.

“Komisioni ka ndryshuar metodologjinë pa asnjë arsyetim duke favorizuar në mënyrë të hapur të paktën disa kandidatë dhe një nga ato është përjashtuar në mënyrë të kundërligjshme. Procesi i intervistimit, praktikat kanë qenë që deputetët e Kuvendit të Kosovës, sidomos ata që janë pjesë e komisionit ad hoc, të bëjnë përzgjedhjen e pyetjeve që të jenë të gjitha njësoj, gjë që nuk ka ndodhur në rastin konkret”.

“U udhëzua administrata e këtij komisioni që të përgatisë 20 deri në 30 pyetje, prej të cilave kandidatët do të zgjedhin nga tri. Me këtë gjë, kanë arritur që kandidatët që do të jenë pjesë e intervistimit nuk do të jenë të barabartë. Do të ketë pyetje të ndryshme, dhe kjo nuk ka ndodhur në të kaluarën”, u shpreh ajo.

“Komisioni ka paraparë vetëm dy ditë për intervistim. 37 kandidatë në ditë dhe vetëm 15 minuta do të kenë kohë këta kandidatë që të përgjigjen. Kohë e pamjaftueshme për të paraqitur një vizion si anëtar i bordit të RTK-së. Pavarësisht tre pyetjeve që do të zgjedhin kandidatët për t’u përgjigjur, komisioni do të mund të ndërhyjë me pyetje shtesë”, përfundoi ajo.

Related Articles